Një tjetër dëshmitar i tragjedisë së shpërthimit në Gërdec, është edhe Ndue Nikolla. Para GJKKO ai ka treguar se ditën e ngjarjes pasi ka parë zjarr, është larguar me vrap, por është djegur 40%. Po ashtu ai thotë se u është kërkuar që të bëjnë kujdes gjatë çmontimit të predhave, sepse ishte një proces me rrezikshmëri.
“Unë isha punëtor i thjeshtë punoja me predhat 100 mlm. Predhat i çmontonim duke e futur predhën tek betoni që ishte bërë posaçërisht për atë punë. E lëvizja dy tre herë dhe shkëputej koka e predhës nga pjesa tjetër, baruti futej në thasë dhe me karrocë e dërgonim tek magazina.
Sokol Ngjeci na kishte porosit që të bënim kujdes pasi kishte rrezik. Ka pas fikse zjarri, raste të tjera ku ka rënë zjarr nuk kam parë. Ditën e ngjarjes kam parë zjarri kam tentu të largohem jam djeg 40% kur më kanë hyp në helikopter për të më dërgu jashtë ishim 8 veta. 7 të tjerët humbën jetë, unë shpëtova”, rrëfen ai.
Pyetjet e avokati lidheshin me faktin se ai është pyetur në dy data të ndryshme në prokurori, por Nikolla theksoi se nuk e mban mënd. Po ashtu sipas dëshmisë që ai ka thënë në korrik të 2008 ka qenë specialist dhe jo punëtorë i thjeshtë. Avokati kundërshtoi dëshminë ndërsa gjykata e pranoi.
Dorian Matkia e pyeti nëse e kujtonte Qemal Memën, ndërsa Nikolla tha se e kujtonte, që kur ka rënë zjarri ai tentoi me fiksen të shuante flaktë.
“Mesa kujtoj kam parë dhe disa të tjerë, por zjarri ishte i madh. Fatmir Mediun se njoh e kam parë vetëm në tv”, është shprehur ai.
BalkanWeb