Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj sulmit tragjik që ndodhi në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, Gjermani, ku raportohet se kanë humbur jetën 11 persona.

Në një postim në platformën X, ajo shprehu tronditjen dhe solidaritetin e Kosovës me viktimat dhe familjet e tyre.

“Populli i Kosovës është i tronditur dhe i pafjalë për këtë akt të ulët që ndodhi në një treg të qetë Krishtlindjesh në Magdeburg”, ka shkruar Gërvalla. “Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre”. Ajo gjithashtu theksoi se dhuna çnjerëzore duhet të luftohet me vendosmëri.

“Kjo dhunë çnjerëzore duhet të luftohet pa kompromis”, shtoi ajo, duke bërë thirrje për veprime të përbashkëta kundër akteve të tilla të dhunshme, shkruajnë mediet e Kosovës.

11 persona kanë mbetur të vdekur pas sulmit ku një makinë ka goditur një turmë njerëzish në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të Gjermanisë.

Siç shkruan media gjermane, Bild, nga sulmi kanë mbetur të lënduar nga 60 deri në 80 persona, teksa sulmi nisi rreth orës 19:00. Ngjarja e rëndë ka shkaktuar reagime të shumta dhe solidaritet ndërkombëtar për popullin gjerman në këto momente të vështira.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb