Kompania gjigante e prodhimit të makinave “Tesla” ka hapur sot fabrikën e saj të re në Berlin, ndërsa shefi ekzekutiv Elon Musk u ka dorëzuar dërgesat e para klientëve mes duartrokitjeve të politikanëve gjermanë të cilët e vlerësuan kompaninë amerikane për nxitjen e ekonomisë në vend.

E ashtuquajtura “gigafabrika”, e vendosur në Grünheide në shtetin rural të Brandenburgut, që rrethon kryeqytetin gjerman, do të jetë fabrika e parë e prodhimit të makinave elektrike në Evropë.

Në fazën e parë të funksionimit të saj, fabrika do të prodhojë deri në 500,000 makina elektrike në vit dhe do të punësojë rreth 12,000 persona.

“Një ditë e veçantë për rajonin, një ditë e veçantë edhe për Gjermaninë dhe një ditë e veçantë për tranzicionin e lëvizshmërisë në Gjermani”, tha ministri për Ekonominë dhe Klimën, Robert Habeck.

Habeck, i cili po mbikëqyr tranzicionin e industrisë gjermane nga karburantet fosile, tha se ardhja e kompanisë amerikane kishte implikime shumë më të gjera, pasi ajo synon të largojë ekonominë nga përdorimi i naftës.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri i shtetit të Brandenburgut, Dietmar Woidke shfrytëzuan rastin për të promovuar Gjermaninë lindore, tradicionalisht anën më të varfër të vendit që nga ribashkimi në 1990, si një vend prestigjioz për investime.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb