TIRANE-Ish-­deputeti demokrat, Gilman Bakalli, tashmë pedagog, thotë se ka marrë kërcënime dhe sharrje të shumta, për një shkrim të botuar pak ditë më parë tek e perditshmja ‘Mapo’, ku ai shprehej se islami u dëshmua joeuropian me atë që ndodhi në Francë.
“Reagimet kanë qenë kryesisht negative, me sharje, shpifje të ndyra, paralajmërime dhe kërcënime, por jo me vdekje. Rrjetet sociale, fatkeqësisht, janë terreni ideal për hienat që duan mish njeriu. I mirëkuptoj të gjithë dhe nuk u vë aspak faj.
Janë njerëz të papunë, me halle të përditshme mbijetese, të frustruar nga probleme të ndryshme familjare, nuk janë në gjendje të lexojnë siç duhet as edhe një artikull gazete, janë të parealizuar në jetë, njerëz që kanë dështuar në çdo aspekt dhe kanë gjetur të vetmen fije shpëtimi tek feja. Besimi dhe injoranca i bën të mbindjeshëm ndaj çdo ngacmimi.
Mjerë kush tenton t’ua prekë të vetmen pjesë të identitetit që u jep pak siguri në atë varfërinë e tyre mizerabël”, shprehet Bakalli për “Mapo”.

Bakalli shprehet se ekziston një frikë e madhe për të kritikuar islamin, pasi të sulmojnë dhe etiketojnë si islamofob.
Ai ndërkohë thotë se harmonia fetare është një mit.
Dhe për këtë Bakalli thotë “provo t’u kërkosh myslimanëve të bëjnë diçka për ndotjen akustike që sjellin ritet e tyre”.
“Mos më thoni se futen tek harmonia fetare vizitat që i bëjmë shoqishojt me raste festash fetare. Jo! Harmoni fetare, fjala vjen do të ishte që një komunitet fetar, si ai mysliman p.sh. të pranonte të diskutonte publikisht për zhurmën akustike që shkakton 5 herë në ditë gjatë ushtrimit të riteve të veta dhe t’i merr seriozisht ankesat që vijnë nga popullsia.
E kush guxon në Shkodër ta bëjë këtë pa pasur frikë minimalisht nga akuza për islamofobi?
Në vend të kësaj të gjithë kanë zgjedhur të fshihen pas perdes së butë e të mëndafshtë të harmonisë fetare duke e ngurtësuar gjithnjë e më tepër shpirtin e mendjen ndaj “tjetrit ndryshe”, thotë ai.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: