NGA MIRSAD RAKAJ*

SHKODËR- Në izolim total, gati çnjerëzor, të detyruar të rriten para kohe për faj të ‘porosive’ të vrasjes së çdo anëtari mashkull në familje, kështu e kalojnë pjesën më të madhe të kohës fëmijët e ngujuar. Në një kohë kur na ndajnë vetëm pak ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, ku 30 mijë fëmijë pritet të ulen për herë të parë në bankat e shkollës më 14 shtator, 56 fëmijë në qarkun e Shkodrës dhe 145 në rang vendi janë të detyruar të ‘ngujohen’ brenda katër mureve të shtëpive të tyre. Djemve të moshave të ndryshme u mjaftojnë pak metra katrorë për të luajtur apo dhe thurur ëndrra, që kapërcejnë kufirin e Kanunit. Gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare”, kryetari i Misionit të Pajtimit të Gjaqeve në Shkodër, Nikollë Shullani pohoi se brenda 10 viteve shumë familje kanë falur gjakun mes tyre, ndërsa theksoi se fenomeni ngelet shqetësues.

Zoti Shullani, sa fëmijë në qarkun e Shkodrës nuk e frekuentojnë shkollën për shkak të ngujimit?
Meqenëse viti i ri shkollor pritet të nisë këto ditë, unë po ndalem te një problem shumë i madh, siç është ngujimi i fëmijëve. Sipas statistikave që unë disponoj, në të gjithë Qarkun numri i fëmijëve të ngujuar që nuk shkojnë në shkollë për shkak të frikës së gjakmarrjes është 56.

Nga cilat zona janë më së shumti këta fëmijë?
Këto fëmijë jetojnë kryesisht në zona të thella malore të Shkodrës, por ka edhe shumë prej tyre që jetojnë dhe banojnë aktualisht në fshatrat Mazrek, Potribë, zonën e Malësisë së Madhe në fshatrat Gur i Zi dhe Bardhaj, për të mos thënë pastaj që kemi edhe brenda në qytet, por është një numër mjaft i vogël.

A e përcakton Kanuni se fëmijët duhet të vriten?
Jo, Kanuni nuk e thotë që fëmijët të vriten, sidomos femrat. Ai që shtie me armë ndaj fëmijës nuk bën burrëri, ose trimëri, por vetëm shkakton ligësi. Dhjetëra fëmijë për shkak të kësaj plage po mbeten të pashkolluar, disa dhe në kushtet e analfabetizmit.

A keni ndërhyrë midis familjeve që janë në gjak dhe a keni hasur në vështirësi me ta?
Brenda 10 viteve kemi pajtuar disa familje të ngujuara dhe fëmijët e tyre tani bëjnë një jetë normale si çdo fëmijë tjetër. Por ka pasur dhe raste kur kryefamiljarët na kanë përzënë.

Çfarë duhet bërë për t’u “zbutur” ky fenomen?
Sigurisht që duhet të bëhet më shumë për fëmijët e ngujuar. Më vjen keq të them që gjakmarrja po përdoret si mundësi për të përfituar financime nga shoqata të ndryshme. Fondet harxhohen me seminare dhe takime, ndërsa harrohen vetë të ngujuarit. Në shumë raste janë vetë shoqatat japin shifra të ndryshme, duke deformuar realitetin për qëllime të ndryshme, por nga ana tjetër e bëjnë problemin të pabesueshëm për ndërkombëtarët. Me fenomenin po abuzohet.

A ka femra të ngujuara mes fëmijëve që nuk shkojnë në shkollë?
Jo, nuk ka. Në gjak janë vetëm burrat e familjes.

Ju si shoqatë çfarë kërkoni nga shteti?
Unë kërkoj më tepër bashkëpunim për ta eliminuar plotësisht këtë fenomen, sepse këto familje po përballen edhe me vështirësi të shumta ekonomike. Më tepër nevojë në këtë dramë kanë sigurisht fëmijët, pasi ata janë pa faj në historitë e të ‘rriturve’. Këtë realitet duhet ta parandalojmë të gjithë, pasi nuk mund të presim vetëm nga misioni i Pajtimit të Gjaqeve.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb