Para 15 vjetësh, plazhi i Pogradecit ishte një plazh i lezeçëm provincial. Gjatë ditës pushuesit kënaqeshin në rërë e në gjol, dhe gjatë darkës kënaqeshin me kërnackat që piqeshin në zgarrat tymosëse buzë shëtitores. Plus, dëgjonin serenata korçare, diku live e diku me foni.
Kurse sot plazhi i Pogradecit ka nuanca më kozmopolitane. Gjatë ditës pushuesit vazhdojnë të shijojnë rërën dhe gjolin në plazhe publike e private, por në darkë nuk tymosen më nga zgarrat e kërrnackave buzë shëtitores.
Menytë e restoranteve janë të shumllojta – nga kërnackat, te korani, e deri tek sushi. Edhe muzika në darkë shkon nga serenatat korçare në disa lokale verore tradicionale, deri tek muzika funk e techno në disa lokale të reja. Për mua personalisht, i veçantë është një bar në qendër të plazhit, që më bën ta ndjej veten si në Dublin, me gjolin e Pogradecit në sfond. Nuk mund ta imagjinoja para 15 vjetësh që në Pogradec të përjetoja edhe gjolin e mrekullueshëm gjatë ditës, edhe një darkë në një këtë bar, si në Dublin!