Nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj i ftuar në “Kjo Javë” me Nisida Tufën komentoi lënien në listat e hapura të deputetëve Dhurata Çupi e Dashnor Sula pavarësisht nga rezultati që morën në primaret e 1 marsit. Madje, Sula u largua nga lista e kandidatëve të PD, në shenjë proteste pse emri i tij nuk ishte te vendet e sigurta.
Gjekmarkaj tha se “Çupi i ka të gjitha mundësitë të jetë në Parlamentin e Shqipërisë” duke theksuar se ajo do të votohet nga qytetarët. “Është një juriste shumë e zonja, me integritet të lartë publik dhe komunikativ dhe një politikane e rafinuar e PD”, tha Gjekmarkaj.
Sa i takon largimit të Sulës nga lista e hapur e PD në Qarkun e Elbasanit, Agron Gjekmarkaj shtoi se besonte se ai do të kthehej te demokratët pas veprimeve emocionale ditën kur u publikuan listat e kandidatëve.
Agron Gjekmarkaj: Janë dy kolegë që kanë bërë opozitë efikase. Zonja Çupi është në listën e hapur dhe besoj se zonja Çupi i ka të gjitha mundësitë të jetë në Parlamentin e Shqipërisë. Është një juriste shumë e zonja, me integritet të lartë publik dhe komunikativ dhe një politikane e rafinuar e PD. Edhe zonja në fjalë, duke qenë shumë më cilësore, edhe pse nuk hyj në personalen e listave të kundërshtarëve, por duke patur parasysh konsumin e madh u them kolegëve socialistë edhe për 12 vite të shpërndanit sadaka, njerëzve do t’iu mërziteshit, jo duke patur parasysh dendësinë e korrupsionit, skandaleve që ka karakterizuar qeverinë pa program, por me tavë, tepsi dhe batuta por pa program dhe në thelb programi i PD e ndryshon gjendjen e shoqërisë shqiptare. Në këtë kontekst edhe zonja Çupi do të jetë një zëdhënëse e këtij programi, një zëdhënëse e ndryshimit, do të jetë një zonjë e votuar.
Zoti Sula besoj se do të jetë përkrah demokratëve si një përfaqësues i spikatur i tyre. Zemra e zotit Sula “rreh” te PD dhe demokratët dhe ndoshta pas një aritmie të momentit do të kthehet pulsi normal dhe besoj se do të jetë përkrah demokratëve në betejën për të fituar PD në Qarkun e Elbasanit.
(BalkanWeb)