Analisti Agron Gjekmarkaj ka deklaruar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News 24, se nëse hapen negociatat, Evropa do të marrë nën kontroll Shqipërinë për të parandaluar projektin e trafikut të drogës dhe për të shpëtuar vendin nga ndikimet otomane dhe ruse.

Sipas Gjekmarkajt, politikanët shqiptarë mendojnë se janë më të zgjuarit dhe ja hedhin Evropës, ndaj dhe duhet një forcë madhore, siç është prezenca e Evropës, që të mund t’i shkundë.

“Nëse hapen negociatat, Evropa do marrë nën kontroll Shqipërinë për të parandaluar projektin e trafikut të drogës dhe për ta shpëtuar vendin nga ndikimet otomane dhe ruse. Nëse i lexojmë mirë 9 kushtet, e thonë qartë që nuk ka shtet të së drejtës.

Evropa shpresoj se do ta ushtrojë pozitive trysnin dhe gjërat do ndryshojnë. Politikanët shqiptarë mendojnë se janë më të zgjuarit dhe ja hedhin Evropës. Vetëm një forcë madhore mund t’i shkundë, prezenca e Evropës mund të ndërtojë pak Evropën këtu”, tha analisti.

Të njëjtin mendim ndan edhe avokati Spartak Ngjela, i cili tha në “Real Story” se Evropa ka filluar prej 20 vitesh reflektimin. Ngjela tha se ndërkombëtarët janë me popullin shqiptar, por në favor të tyre nuk është lidershipi, i cili tashmë është i trembur dhe nuk ka gjë në dorë, pasi sipas tij, amerikanët i kanë marrë Kushtetutën, që do të bëjë gjëmën.

“Reflektimi i Evropës ka 20 vite që ka filluar. Ata panë që me sllavët nuk kishin lidhje. E vetmja popullsi që ata janë të bindur t’i mbështesin janë bota shqiptare. Nuk ka luks më të madh, që në një zonë kaq të ngushtë të ketë dy shtete shqiptare. Ky është proces. Janë dy shtete shqiptare, që nuk mund të lihen kështu. Në këtë zonë përplasen dy interesa, ai amerikan dhe ai rus, që përplasen në Ballkanin Perëndimor. Ne nuk kemi në favor lidershipin, se nuk ka qenë me ne, por është i trembur dhe nuk ka më gjë në dorë, sepse amerikanët i kanë marrë Kushtetutën.

Ajo është një Kushtetutë që të bën gjëmën, por jo shqiptarëve. Do bëjë reformën këtu, pastaj do e bëjë dhe te shteti tjetër. Nuk është vetëm Shqipëria ku amerikanët filluan reformën. E para është Gjermania dhe ja ku është, e dyta është Japonia. Po ta shohësh diskutimin për Japoninë habitesh. Tani kanë ardhur ta bëjnë te ne. Po nuk e bënë ata, ne do ngelemi në këtë pastiço ku jemi. Nëse takimin Rama-Basha e iniciojnë ndërkombëtarët, do jetë pozitiv, në të kundërt jo”, deklaroi Ngjela.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb