TIRANË – Shkrimtari i shquar Ismail Kadareja feston sot, më 28 janar 2015, 79-vjetorin. Z.Agron Gjekmarkaj, kritik letrar, i ftuar sot në studion e “News 24”, ka shpalosur një panoramë shumëdimensionale të figurës dhe veprës së Kadaresë me të gjitha dimensionet e saj.

“Atë pozicion që Dante Aligeri ka pasur në kulturën italiane, atë ka dhe Kadareja në kulturën shqiptare,” veçoi në fjalën e tij, Gjekmarkaj. – “Ai është personi që kreu një revolucion të madh në kulturën shqiptare, por edhe në gjuhën shqiptare, pasi e ktheu atë në një gjuhë botërore, për shkakun se vepra e tij është përkthyer në mbi 35 gjuhë të botës.

Por, a është vlerësuar Kadareja në mënyrën e duhur në Shqipëria dhe jashtë saj? Kësaj pyetjeje të gazetarit të “News 24”, Edvin Parruca, kritiku i letrave iu përgjigj:

“Kadare, në Shqipëri e ka prej disa vjetësh mantelin e patriarkut dhe ata që janë të dyzuar, vështirë t’ia heqin dot. Vepra e tij është e madhe, globale, në sinkroni, në diakroni.

Në librin e tij të fundit, “Mëngjese në kafe “Rostand – Motive të Parisit”, ai ka shkruar për nënën e tij dhe për nga mënyra sesi e ka shkruar këtë është një Kadare ndryshe, një Kadare personal, lirik, që ka humor, tepër i ndjeshëm dhe tepër sensibël në këtë raport human. Ai është një artizan i përsosur i shkrimit. Mendoj se atë pozicion që Dante Aligeri ka pasur në letërsinë italiane, atë ka dhe ai në kulturën shqiptare.”

Por, nga vjen ky dimension i madh në veprat e tij?

Gjekmarkaj tha se “më duket pak e tepërt të them që Kadare me duket një bir i Europës. Edhe kur shkruan për grekët, rusët, kinezët ai ka një shikim konservator europian dhe ndoshta është kritikuar për këtë, por letërsia nuk është histori, është “fiction”. Pak shkrimtarë në botë kanë një gjeografi të tillë temash, nga Siberia, Kina, shkon deri në kufijtë e Perandorisë Osmane. Pra, kjo dëften për një shkrimtar që e dominon dijen e thellë.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb