TIRANË

Analisti Agron Gjekmarkaj e shikon Presidentin e Republikës Ilir Meta si të vetmen pengesë ndaj revanshit që ka marrë maxhoranca për kapur ccdo gjë në vend.


Ndërkaq gazetari Alfred Lela, i cilësoi Ardian Dvoranin, kreun e KED dhe kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku si varrmihës.


Nga ana tjetër sa i përket vlerësimit me zero pikë nga Marku dhe Dvorani për anëtaren e Gjykatës Kushtetuese të dekretuar nga Presidenti Meta, Marsida Xhaferllari, Sokol Balla mendon se ka të bëjë me dyshimet për afera korrupsioni dhe jo me lidhjen e saj me ish-deputetin e PD Enkelejd Alibeaj.


Ndiqni debatet në “Real Story” në News24.

Gjekmarkaj: Presidenti, e vetmja pengesë ndaj një revanshi total që ka maxhoranca dhe kryeministri për të kapur çdo gjë në vend. Për të kapur Gjykatën Kushtetuese që ka tre çështje themelore. E para është shkarkimi i vetë Presidentit dhe në këtë kontekst për mua është normale që takohet me opozitën sepse njëra palë i ka shpallur luftë dhe nuk e njeh, e quan ish-presidenti, Presidenti në detyrë etj, kështu që në aspektin praktik ai kërkon aleancën sepse opozita e njeh atë për president.

Balla: Aleancë politike presidenti, nuk shkon. Ta respektojmë një farë formalizëm. Je dakord që ka dalë jashtë rolit të tij?

Gjekmarkaj: Jashtë rolit janë të gjithë. Kush është në rol. Është çakorduar sistemi.

Balla: Çdo president që gjendet ngushtë në situatën e tij, atëherë ngushton gjithë vendin.

Gjekmarkaj: Po bën përpjekje serioze. Një institucion themelor që do ketë tre çështje për t’i diskutuar që janë zgjedhjet e 30 qershorit, shkarkimi i Presidentit, pastaj çështje të tjera, Unaza, Teatri Kombëtar…të paktën të krijojë një lloj balance. Duket qartë që maxhoranca do ta kapë këtë me çdo kusht siç ka kapur çdo gjë në këtë vend. Ka mbetur formalisht vetëm presidenca pa kapur se çdo gjë tjetër është e kapur, është e molepsur. Teoritë bien në nivel intelektual, nuk kanë shumë vlerë kur shohim se faktet para nesh po konsumohen si të tilla.

Lela: Ne mund ta akuzojmë Presidentin, si rrënues të Kushtetueshmërisë sa të duam por e hedhim vështrimin në anën tjetër dhe gjejmë varrmihës me thënë të drejtën, dhe fatkeqësisht jemi me ‘kë të zgjedhim’, rrënuesin a varrmihësin. Nuk mund t’i vë emër tjetër përveç se varrmihës Ardian Dvoranit dhe Arta Markut. E shikoni çfarë ndodh? Është i vetmi fakt që kemi, të tjerat janë interpretime.

Balla: Zonja Tusha dhe KED kanë nxjerrë fituese Arta Vorpsin dhe zonja Tusha si kryetare e Kushtetueses thotë jo kjo nuk është e vërtetë.

Lela: Nuk i ka shkuar zonja Vorpsi. Nuk dua të përmend emra por jam në ngushticën e të përmendurit emra. Si munden dy zyrtarë të lartë të drejtësisë së re, kryeprokurorja e përkohshme dhe kryetari i KED t’i japin zero pikë për integritet moral dhe etik një kolegeje. E di çfarë dekonspiron kjo? Që këta ashtu siç thotë opozita janë në xhepin e vogël të maxhorancës.

Topollaj: Ose këta kanë më shumë informacion se të tjerët por unë jam me versionin e parë.

Gjekmarkaj: Kjo zonja është dënuar sepse bashkëjeton me ish-deputetin e PD Alibeajn, le ta themi.

Lela: Le të flenë me kë të duan. Këto pikë të ulëta, zero pikësha e kanë çuar të katërtën zonjën Xhaferllari se përndryshe nuk do kishte qenë e katërta. Meta është detyruar ta nxjerrë virtytin nga qesja e vesit se aty e kanë futur.

Balla: Unë tani po e marr vesh që i kanë dhënë zero por di arsyen pse. Nuk e kanë lidhur atë për shkak të lidhjeve të saj. Ato e kanë bërë sepse ka dosje për të cilat dyshohet për afera korruptive por nuk është se ka lidhje me jetën private.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb