Analisti Agron Gjekmarkaj komentoi deklaratat pozitive të kreut të Këshillit Evropain, Donald Tusk, i cili tha pas takimit me kryeministrin Edi Rama se Shqipëria meriton të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News 24, analisti Gjekmarkaj u shpreh se populli shqiptar e meriton të ketë një marrëdhënie më të afërt me Evropën, por klasa politike jo.

Sipas tij, qeveria shqiptare nuk i ka përmbushur kushtet që Shqipëria të bëhet pjesë e BE, duke shtuar se nëse BE vendos të hapë negociatat, e bën vetëm për të pasur më afër vendin tonë dhe politikën, në mënyrë që të ndikojë mbi këtë të fundit.

Deklaratat e Donald Tusk për Shqipërinë …
Shqipëria e meriton të ketë një marrëdhënie më të afërt me Europën, sepse Evropa i ka munguar. Populli shqiptar e meriton, por nuk jam i sigurt nëse e meriton dhe klasa politike.
Qeveria nuk i ka përmbushur kushtet që Shqipëria të jetë një vend që i hapen negociatat. Shqipëria është në krizë të plotë, sistemi ka pësuar shkarje, opozita është jashtë, nuk shohim asnjë tentativë për dialog. Hapja e negociatave nëse ndodh, pse? Sepse ata kanë parë një bashkëpunim të qeverisë me krimin, këtë e kemi parë të gjithë, projektin e kanabizimit të Shqipërisë. Hapja e negociatave do të thotë ta marrësh Shqipërinë më afër, të ndikosh klasën politike dhe që të ketë një përmirësim. Në këtë prizëm e shoh hapjen e negociatave.

Po flasim për një çelje të negociatave, çdo me thënë nuk duam t’i nisim negociatat me Shqipërinë?
Evropa e viteve të fundit nuk është ajo që mendojmë ne. Është një Evropë që po bie në prehrin e populizmit. Rruga e multikulturalizmit ka marrë goditje të madhe kudo në Evropë, duke iu dhënë shkas rritjes së partive me karakter të fortë nacionalist. Gjermania dhe Franca e kuptojnë që procesi i zgjerimit është proces i stabilitetit të Evropës. Kjo rrymë do triumfojë.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb