TIRANË

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste është i bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme pavarësisht se opozita e kërkon vazhdimisht prej kohësh një gjë të tillë.
Në “Real Story” në News24, Balla tha se zgjedhje të parakohshme do të ketë vetëm për Shkodrën.

Ndërkaq analisti Agron Gjekmarkaj tha se nëse Shqipëria do ishte si Slovenia nuk do kishte marrë “jo” nga BE. Sipas tij, Shqipëria penalizoi dhe Maqedoninë.

“Europa nuk është në një krizë të madhe. Në krizë për mua është Shqipëria. Nëse Shqipëria do kishte përmbushur kushtet dhe do i ngjante Kroacisë dhe Slovenisë, Europa do i kishte mbyer dyert? Asnjëherë. Ne kemi penalizuar Maqedoninë me problemet tona. Qeveria brenda kufijve minimalisht duhet të sillet si Zaev, t’i hapë rrugë zgjedhjeve. Politika duhet të shkojë drejt një pakti kombëtar”, deklaroi Gjekmarkaj.

Balla tha se ende nuk ka një dokument për atë çfarë u vendos në Këshillin Europian.
“Së pari, vetë Këshilli Europian, përveç asaj që Tusk tha se kjo nuk është një çështje që lidhet me Shqipërinë, ende sot në Bruksel, nuk ka farë një copë letër për ta ditur. Sot pasdite ka qenë byroja e PE dhe është marrë një vendim që PE të shprehet përsëri të enjten, të ketë një rezolutë urgjente nga PE që i kërkon Këshillit me urgjencë të rushqyrtojë këtë çështje sepse ka lënë një vakuum. Dhe ne ende, dhe kryeministri me të drejtë që pret të ketë një komunikim me presidentin Macron, për të kuptuar. Ajo që i thuhet një miku në Ballkan për mënyrën se si do qasesh”, u shpreh Balla.

Sipas tij ,vetë BE-ja sot është ngecur. “Ne e kemi thënë, për ne dokumenti i Bundestagut gjerman është themeli i një procesi. Është një dokument që e kam lexuar mbi 30 herë. Lexoni detyrat, në qoftë se gjeni një fjalë të vetme për këtë çështje”, u shpreh Balla duke iu referuar krizës politike në vend.

Ndërkohë gazetari Alfred Lela tha se në kushtet e Bundestagut ka pika që lidhen me krizën.
“Krizën e kanë sjellë dhe ky është perceptimi i përgjithshëm, zgjedhjet. Kriza e besimit ka ardhur ‘ne nuk hymë në zgjedhje se po hymë na i vjedhin’. Kjo drejtpërdrejt lidhet me krizën. Kjo flet për krizën apo jo. Bundestagu gjerman e pranon se ka një element që lidhet me krizën”, u shpreh Lela.

Referuar asaj që ndodhi në Maqedoni pas vendimit të BE dhe kërkesave të opozitës Balla deklaroi ‘në këtë vend zgjedhje të parakohshme do të ketë vetëm për bashkinë e Shkodrës’.
Për analistin Skënder Minxhozi kushtet e Gjermanisë nuk janë bllokuese për negociatat. “Ata nuk vunë kushte para Po-së. Vunë ‘Po’-në para kushteve”, tha Minxhozi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb