Analisti Agron Gjekmarkaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” foli për dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Gjemarkaj u shpreh se dënimi ishte i pritshëm, kurse ka shtuar se kryeministri Rama e ka mbrojtur gjithmonë “krahun e tij të djathtë”.

“Ky ishte një vendim i pritshëm. Rama e ka mbrojtur. Ambasada amerikane tregon se Ato ishin orë negociatash dhe jo orë për të marrë vendimin. Reforma në drejtësi tanimë vihet në dyshim. Vendimi ishte qesharak për akuza që kanë qenë të rënda. I vendosën njollën e të fajshmit, por deklaratat e tij ishin si triumf. Tahiri mbrëmë ka trembur vendimmarrësit. Është një histori banale dhe qesharake e  tregon sesa tragjike është gjendja në Shqipëri. Gjykatësit ishin nën frikë, sepse nuk e kanë kaluar ende vettingun”, tha Gjekmarkaj.

Agron Gjekmarkaj nënvizoi se beson se Saimir Tahiri është një hipotekë e madhe e të këqijave në 5 vitet e fundit në Shqipëri.

“Procesi u banalizua shkallë – shkallë dhe shkoi deri në farsë. Por gjithsesi besoj se politika e priti mjaft mirë vendimin. Besoj se çdo shqiptar e di dhe e ka parë sesi Shqipëria u kanabizua, në çdo vend, nga malet deri në bregdet. Unë mendoj se Tahiri është një hipotekë e madhe e të këqijave që kanë ndodhur në Shqipëri në 5 vitet e fundit. Edhe mënyra sesi bëhet vettingu, tregon se ata kanë presion nga politika. Kam qëndrim të rezervuar ndaj reformës në drejtësi. Vendi drejtohet nga disa njerëz, nuk ka institucione”, tha Gjekmarkaj.

Ai deklaroi se Tahiri është fajtor për kanabizimin e gjithë vendit.

“Thuhet se janë 127 policë që janë vendosur në dispozicion të trafikut të drogës. Këtu fajtor nuk është vetëm Tahiri. Nga pikëpamja morale, ne e dimë se Tahiri është fajtor. Për kanabizimin e vendit, sigurisht që fajtor nuk është vetëm Saimir Tahiri. Kanabisi ishte shqetësim për gjithë Europën. Gjithë Shqipëria u shndërrua në Lazarat. Gjashtë vite kjo qeveri janë të mjaftueshme që ta implikojnë në të tilla probleme.  Situata është problematike dhe pritet të shihet edhe integrimi”, u shpreh Gjekmarkaj.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb