Është gjetur e vdekur mëngjesin e sotëm në lagjen “Kalabria” në Prishtinë regjisorja nga Kosova Arzana Kraja.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Facebook se angazhimi i regjisores Kraja në fushën kinematografisë ishte i jashtëzakonshëm.

“Jemi të shokuar nga lajmi për vdekjen e regjisores Arzana Kraja! Angazhimi i saj në fushën e kinematografisë ishte i jashtëzakonshëm. Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë bashkëpunëtorëve”, është thënë mes tjerash në njoftim.

Kraja
Kraja

Policia e Kosovës ka konfirmuar vdekjen e Krajës, e cila është vajza e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.
Zyrtarët policorë po ashtu kanë thënë se ky rast po konsiderohet si “vdekje e dyshimtë”, derisa të publikohet raporti mjeko-ligjor.

“Me datën 13.11.2019 rreth orës 09:08 policia ka pranuar një informatë, për një trup të pa jetë në lagjen “Kalabria”, Prishtinë. Njësitë policore kanë dal menjëherë në vendin e ngjarjes, përfshirë edhe ekipin mjekësor të emergjencës të cilët kanë konstatuar vdekjen e personit të gjinisë femërore”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Kraja njihet për filmat, “Shkurta” dhe “Fusha e mëllenjave”. Komuniteti artistik në Kosovë dhe miq të saj janë shprehur të mërzitur dhe kanë shprehur ngushëllime për regjisoren e ndjerë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Arzana ka kontribuuar shumë në kinematografinë e Kosovës.

“Vdekja e regjisores Arzana Kraja është lajm i trishtë për të gjithë ne. Ajo i dha shumë kinematografisë sonë me talentin e saj dhe ishte shumë e re për t’u ndarë nga jeta. Ngushëllime familjes Kraja, miqve të Arzanës dhe gjithë komunitetit artistik dhe kulturor në vendin tonë”, është shprehur presidenti në një postim në Facebook.

Në të njëjtën platformë, kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur ngushëllime për ata që kanë njohur regjisoren Kraja.

“I prekur thellë nga ndarja e parakohshme nga jeta e Arzana Krajës. Pata nderin ta njihja personalisht. Arzana, me artin e saj i dha shumë Kosovës. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit të artit. Prehu e qetë Arzana!”, shkruan Haradinaj.

Ndërkohë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë që trupi i pajetë të dërgohet për autopsi.
“Ju njoftojmë se prokurori kujdestar për trupin e pa jetë ka lëshuar urdhëresë për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa pritet raportit i autopsisë për zbulimin e rrethanave të vdekjes”, ka deklaruar për Telegrafin zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb