Një unazë tepër e vjetër është gjendur në Jeruzalem. Është e mundur që unaza të sjellë njohuri të reja për origjinën e Jeruzalemit. Ishte zbukuruar me një gur të çmuar të kuq dhe besohet se i përkiste ose një fëmije ose një vajze. E ka origjinën nga epoka helenistike, njoftoi shërbimi kompetent izraelit.

“Papritur pashë diçka që shkëlqente”

Një punëtor e gjeti unazën duke shoshitur dheun. Punëtori është pjesë e ekipit që punon në gërmimet arkeologjike të iniciuara bashkërisht nga Instituti i Izraelit për Antikitetet dhe Universiteti i Tel Avivit. Në kantierin “Qyteti i Davidit” kryhen gërmime.

“Papritmas pashë diçka që shkëlqente”, tha punëtori. “Menjëherë bërtita se e kisha gjetur unazën”. Punëtori shtoi se i gjithë ekipi ishte i emocionuar,

“Është një pjesë shumë emocionuese, nuk e gjen diçka të tillë çdo ditë”. Ai më pas tha se në të vërtetë gjithmonë donte të gjente diçka prej ari. “Jam shumë i lumtur që ëndrra ime u realizua”.

Unaza tregon një histori të re për Jerusalemin

Stili i unazës tregon epokën persiane dhe helenistike të hershme të fundit të shekullit të 4-të deri në fillim të shekullit të 3-të para Krishtit.

“Në atë kohë, njerëzit filluan të preferonin arin me gurë të çmuar mbi arin e gdhendur”, thuhet në deklaratë. Unaza e artë është një nga një sërë objektesh dhe strukturash të gërmuara, të cilat u gjetën në kantierin e parkingut Givanti në “Qytetin e Davidit”.

Shkencëtarët pjesëmarrës në projektin e gërmimeve thonë se të gjitha këto gërmime do të kontribuojnë në krijimin e një tabloje ndryshe të banorëve të Jeruzalemit në epokën e hershme helenistike.

Për shkak se strukturat e mëparshme dhe objektet e gërmuara të asaj periudhe ishin të rralla, studiuesit supozuan se Jerusalemi ishte atëherë një qytet i vogël, i kufizuar në majën e shpatit juglindor – “Qyteti i Davidit” – dhe kishte burime të kufizuara, shkruan DW.

Tani shkencëtarët i interpretojnë ndërtesat e gërmuara dhe objektet e arit si një tregues se ekonomia ishte në lulëzim dhe se qyteti mund të kishte edhe një status elitar në atë kohë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: