TIRANË
Partia Demokratike ka ndërmarrë një tjetër hap për të kundërshtuar krijimin e Agjencisë për Media dhe Informim nga ana e qeverisë.Kreu i komisionit të Medias, Agron Gjekmarkaj i ka dërguar një letër 22 ambasadave në vendin tonë, ku bën një panoramë të situatës me mediat në vend, duke akuzuar qeverinë se asnjëherë nuk e ka qartësuar se çfarë ka ndërmend të bëjë me këtë projektligj që e mban dhe nxjerr nga sirtari prej 3 vitesh në funksion të krizave politike të ditës.
Sipas Gjekmarkajt, pavarësisht ritheksimit të Komisionit Europian në raportin vjetor të vitit 2021 se qeveria e dalë nga zgjedhjet nëse do t’i rikthehet këtij ligji duhet të konsiderojë konsultimin publik dhe rekomandimet e komisionit Venecias – këto rekomandime jo vetëm që nuk janë marrë parasysh, por në emër të tyre janë ndërmarrë veprime që kanë çuar në asgjësimin e lirisë.
Në letrën e firmosur nga kreu i komisionit të medias Agron Gjekmarkaj theksohet se komuniteti i gazetarëve në Shqipëri ka shprehur shqetësime dhe ka ngritur zërin publikisht për këtë vendim sepse e sheh si një masë shtesë të qeverisë për bllokuar transparencën dhe për të penguar gazetarët në marrjen e informacionit publik.
LETRA E PLOTË
Gjendja e lirisë së medias në Shqipëri vijon të përkeqësohet si rezultat i veprimeve të qeverisë për të vënë nën kontroll entin rregullator të medias, transmetuesin publik, presioni që ushtrohet për ligjin që pretendon të rregullojë median online dhe së fundmi me krijimin e agjencisë së medias dhe informimit si mjet shtesë për të bllokuar hapësirën e lirisë për median kritike në vend.
Pavarësisht kritikave të forta të organizatave lokale dhe ndërkombëtare të medias për projektligjin që synonte rregullimin e medias online.
Pavarësisht mendimit negativ të Komisionit të Venecias të shprehur qartë në konkluzionet e raporti të 19 qershorit 2020, se në interes të lirisë së shprehjes, lirisë së medias dhe pluralizmit në Shqipëri se projektligji nuk është gati për amendim në formën aktuale.
Pavarësisht ritheksimit të Komisionit Europian në raportin vjetor të vitit 2021 se qeveria e dalë nga zgjedhjet nëse do t’i rikthehet këtij ligji duhet të konsiderojë konsultimin publik dhe rekomandimet e komisionit Venecias – për fat të keq konstatojmë se këto rekomandime jo vetëm që nuk janë marrë parasysh, por në emër të tyre janë ndërmarrë veprime që kanë çuar në asgjësimin e lirisë.
Qeveria asnjëherë nuk e ka qartësuar se çfarë ka ndërmend të bëjë me këtë projektligj që e mban dhe nxjerr nga sirtari prej 3 vitesh në funksion të krizave politike të ditës.
Për më tepër me pretekstin e këtyre rekomandimeve në shtator të 2020, me nisjen e sesionit të ri parlamentar, kryeministri në Parlament dhe kryetari i grupit parlamentar të shumicës në media theksuan se në bazë të këtyre rekomandimeve do të nisin procesin e ribërjes së bordit të RTSH-së (në asnjë fjalë dhe germë të rekomandimeve të komisionit të Venecias nuk përmendet Transmetuesi Publik). Por këto deklarime kuptohen më mirë sot, një vit më pas duke parë gjendjen në të cilën ndodhet Transmetuesi Publik.
Në harkun e një viti shumica parlamentare nisi plotësimin e të gjithë vendeve të këshillit drejtues të RTSH-së dhe zgjodhi në korrik të 2020 kryetaren e re të AMA-s.
Pavarësisht kritikave të medias lokale dhe opozitës që ngriti zërin se në krye të Entit Rregullator po emërohej as më shumë as më pak se drejtoresha e komunikimit me median në kryeministri që mbante edhe postin e drejtoreshës së ATSH-së- shumica qeverisëse vijoi me planin e saj për kontrollin e institucionit. Bordi AMA-s është i pa plotësuar, por kaq iu desh shumicës. Kontrolli i plotë i drejtimit ekzekutiv të institucionit që prezumohet se do të luante rol kryesor për zbatimin e projektligjit për rregullimin e medias online! Pavarësia dhe legjitimiteti i këtij institucioni të rëndësishëm është vënë në pikëpyetje.
Me një shpejtësi dhe “komoditet” të krijuar nga mungesa e opozitës në Kuvend, shumica plotësoi të gjitha vendet vakante të bordit të RTSH-së dhe zgjodhi dhe kryetarin e saj.
Megjithëse kishin të gjitha mundësitë që të paktën në pikëpamjen formale të respektoheshin kërkesat e ligjit, në bordin e RTSH-së u vunë kandidatura në konflikt të pastër interesi me ligjin. Po ju përmend vetëm një fakt anekdotik: përfaqësuesi i opozitës që skualifikonte kandidaturat për në bord në ditën që bënte këtë detyrë ishte shpallur kandidat për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Beratit!
Raporti vjetor i Komisionit Europian duke folur për RTSH-së nënvizon procesin e nxituar të largimit të drejtorit në detyrë dhe mos-hapjen e garës për drejtuesin e institucionit – veprim ky dukshëm në kundërshtim me ligjin.
Ligji i RTSH-së nuk krijon hapësirë për të lënë institucionin pa drejtues. Pyetja pse prej 6 muajsh këshilli drejtues dhe posaçërisht kryetari i këshillit drejtues nuk hapin garën për drejtorin e ri, merr përgjigje vetëm duke parë çfarë po ndodh sot në RTSH- që kryesisht operon me paratë e taksapaguesve shqiptarë si ata që kanë votuar për qeverinë ashtu edhe ato për opozitën.
Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së ka uzurpuar de facto pushtetin e drejtuesit e institucionit, ndërkohë që përgjegjësia e tij individuale është hapja e garës për të zgjedhur drejtuesin e institucionit.
Gjendja e lirisë së medias nuk është përkeqësuar vetëm në entet publike. Atmosfera e sulmeve verbale, fushatës së njollosjes dhe indimidimit të gazetarëve është rritur në mënyrë alarmante. Sot gazetarët përballen në gjykatë me një numër të madh çështjes për shpifje. Gazetarët pengohen dhe madje ushtrohet dhunë ndaj tyre në ushtrimin e detyrës siç ishte rasti i dy gazetarëve të ndaluar nga policia ndërkohë që raportonin për protestën e 25-vjeçarit të vrarë nga policia në Tiranë.
Në prill të këtij viti u desh ndërhyrja urgjente e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut që SPAK të ndalonte marrëzinë e marrjes në pyetje të dy gazetarëve që raportuan për 910 mijë të dhëna personale të votuesve të qarkut të Tiranës. Është thelbësore për një shoqëri të lirë që media kritike të mos pengohet në punën e saj.
Një muaj më parë, qeveria përmes një VKM, njoftoi krijimin e Agjencisë së Medias dhe Informimit. Komuniteti i gazetarëve në Shqipëri ka shprehur shqetësime dhe ka ngritur zërin publikisht për këtë vendim sepse e sheh si një masë shtesë të qeverisë për bllokuar transparencën dhe për të penguar gazetarët në marrjen e informacionit publik.
Një nga detyrat e përcaktuar nga kjo agjenci është “siguron përgjigje për shkresat dhe kërkesat për informacion, në lidhje me çështjet e informimit dhe komunikimit mediatik…”
Në Shqipëri për këtë “informacion” Parlamenti ka miratuar ligjin 119/2014 për informimin e publikut me dokumente zyrtare. Mjerisht konstatohet nga aktorët mediatik vendas dhe të huaj se çdo vit ka një përkeqësim në zbatimin e këtij ligji nga institucionet publike. Përpjekja për të shtuar edhe një filtër tjetër përmes Agjencisë së Informacionit dhe Medias vështirëson më tej punën e gazetarisë kritike dhe investigative.
Në emër të “teprimeve të medias” synohet që këto teprime të rregullohen me “projektligjin” për rregullimin e medias online. Për të kontrolluar më shumë informacionin dhe për të vështirësuar punën e gazetarëve krijohet Agjencia për Informim dhe Media. Për të shtuar më shumë propagandën synohet kontrolli total apo ca më keq dobësimi i transmetuesit publik RTSH.
Teprimet e medias sado të vogla apo të mëdha qofshin janë çmimi që një shoqëri paguan për të qenë e lirë.
Në cilësinë e kryetarit të komisionit parlamentar të medias dhe deputetit të Kuvendit të Shqipërisë do të mbaj në fokus të punës time lirinë e shprehjes dhe të medias, si dy të drejta themelore të patjetërsueshme, të padiskutueshme dhe të pa negociueshme jo vetëm për gazetarët dhe aktivistët, por për çdo qytetar të vendit.