Për dekada me radhë, politikanët sovjetikë e më pas rusë, janë mburrur se kanë lejuar që gratë të kenë mundësi të barabarta me burrat dhe mbrojtjen e tyre nga diskriminimi. Por statistikat tregojnë se në Rusi ka ende pabarazi të mëdha në pagë mes grave dhe burrave. Dhuna në familje është një tjetër problem i madh, pasi autoritetet i lehtësuan ndëshkimet në vitin 2017, një veprim për të cilin ekspertët thonë se i frenoi shumë gra të kërkonin ndihmë. Aktivistët rusë të të drejtave të njeriut dhe të afërmit e viktimave të dhunës në familje u intervistuan nga korrespondenti i Zërit të Amerikës në Moskë Igor Tsikhanenka, duke hedhur dritë tek gjendja e grave sot në Rusi.

Politikanët e sotëm rusë, sikurse paraardhësit e tyre sovjetikë, shpesh i mburrin gratë dhe premtojnë se do t’i mbështesin dhe mbrojnë ato. “Është e vështirë të imagjinosh historinë e zhvillimit të vendit tonë pa kontributin e dhënë nga gratë e mrekullueshme ruse,”- tha presidenti rus, Vladimit Putin. Por aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se statistikat zyrtare për gjendjen e grave në Rusi tregojnë se politikat qeveritare për barazinë gjinore duhen përmirësuar. “Në mesin e 21 milionë njerëzve që jetojnë nën nivelin e varfërisë së Rusi, 67 për qind janë gra. Diferenca në pagë për shkak të dallimeve gjinore është 27-30 për qind,”- thotë aktivista e të drejtave grave Alena Popova.

Aktivistët kanë shqetësim të veçantë për dhunën në familje në Rusi, që zakonisht ushtrohet nga burrat. Në vitin 2017, Parlamenti rus, Duma, e dekriminalizoi pjesërisht dhunën fizike në familje, duke e minimizuar ndëshkimin ndaj ushtrimit të dhunës për herë të parë, nga dënimi me burg, në gjobë. “Zakonisht, një familje ruse ka një buxhet të përbashkët. Imagjino, burri e rreh gruan dhe pastaj paguan gjobë me paratë e saj,”- thotë aktivistja Popova.

Qeveria thotë se rastet e dhunës në familje që raportohen në polici, ranë thuajse përgjysëm që kur filloi zbatimi i ligjit. Ekspertët mendojnë se ligji i ri i shkurajon gratë ruse që të kërkojnë ndihmë ligjore, gjë që mund të çojë në tragjedi.

“E shoh shpesh vajzën time në ëndërr. E përqafoj, e prek dhe ajo më përqafon. Vajza ime e vogël, e vetme”, – thotë nëna e një viktime. Anna Verba kujton vajzën e saj, Elenën 28-vjeçare, të cilën i shoqi e goditi 57 herë dhe e la të vdiste në krahët e djalit të tyre 7-vjeçar. “Ata kanë ligjëruar vrasjen. Askush nuk bën përpjekje ta ndalë këtë. Çfarë lloj drejtësie është kjo?”- thotë Anna.

Ajo fajëson ligjin e ri të zbutur dhe pasivitetin e policisë për vdekjen e së bijës, duke thënë se autoritetet nuk i kushtuan rëndësi rastit kur i shoqi e qëlloi Elenën herën e parë me thikë katër muaj para se ta godiste për vdekje. “Duhet një ligj që të na mbrojë, që të mos kem frikë për jetën time dhe të nipit, që të mos më duhet të fshihem nga ai vrasës,”- thotë Anna.

Sipas faqes në internet të organizatës jo-qeveritare, domesticviolence.ru, në Rusi, më tepër se 16 milionë gra në vit janë viktima të dhunës në familje. Vetëm 10 për qind e tyre shkojnë në polici. Klithmat e të tjerave mbeten të padëgjuara. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: