TIRANË- Gjeneralja e parë femër në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, gjeneral brigade Manushaqe Shehu, emërohet në krye të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS).

Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes gjeneral brigade Manushaqe Shehu theksoi vendosmërinë e saj për përmbushjen e objektivave të kësaj komande.

“Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe strukturat e saj vartëse do të jenë të angazhuara maksimalisht në përmbushjen e përgjegjësive të tyre për t’i dhënë një impuls të ri punës për realizimin e misionit dhe detyrave të ngarkuara. Kam besim të plotë se me disiplinën, profesionalizmin dhe përkushtimin e të gjithë efektivave të KDS, me vizionin dhe mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm si dhe mbështetjen e përhershme të familjes sime, do ta përmbush me sukses detyrën e re”, tha ajo.

Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Dedë Prenga i dorëzoi flamurin e KDS komandantes së re, gjeneral brigade Manushaqe Shehu, e cila ka hyrë në histori si e para femër që shërben si gjenerale në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe që emërohet në krye të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, i vetmi institucion arsimor ushtarak në vend me një eksperiencë pune 14-vjeçare.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, tha se në këtë rast me të vërtetë është bërë histori, jo vetëm në procesin e gradimit të gjenerales Shehu, por edhe në emërimin në një strukturë të rëndësishme të FA.

“Besoj se misioni i KDS nën drejtimin e gjenerale Shehut, jo vetëm do të plotësohet, do realizohet, por me kontributin e saj, do të japë drejtime të reja dhe sigurisht një energji për të cilën ka nevojë sa herë bëjmë ndryshime. Besojmë se me këtë emërim, historia e FA shënon një ngjarje të veçantë.”- tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb