Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, i ftuar në emisionin Open në News 24 përmendi faktin që është përkujtuar 80-vjetori i masakrës greke mbi Çamërinë.
Idrizi theksoi se është ndjerë mirë nga fakti që Rama përmendi shpërnguljen e çamëve në Athinë. Sipas tij, gjenocidi nuk plaket dhe ndaj nuk mund të harrohet. Idrizi u shpreh se qeveria shqiptare duhet të ulet në tryezën e negociatave me qeverinë greke, me qëllim që të zgjidhen disa çështje, që janë pezull. Për Idrizin, kjo nuk ka ndodhur, për shkak të “frikës” se mos i mbetet hatri Greqisë.
Shpëtim Idrizi: Unë e dëgjova Ramën me kujdes në Greqi. Për herë të parë Rama tha se është në fuqi ligji i luftës. U ndjeva mirë nga fakti që kryeministri përmendi shpërnguljet e çamëve. Pas shumë vitesh të mbash në fuqi ligjin e luftës, është absurde. Ne asnjëherë nuk kemi pasur raporte të mira me Greqinë, por kemi bërë shumë lëshime. Unë shpresoj shumë që fjalimi i Ramës mos të jetë thjesht retorikë, por të jetë moment kthese historike. Ne si parlament i Shqipërisë duhet që të dërgojmë një kërkesë tek parlamentarët grekë, ku t’ju kërkojmë që të heqin ligjin e luftës. Greqia mërzitet me ne sa herë që do.
Ne duhet të ulemi në tryezën e negociatave dhe të bisedojmë çështjet që janë pezull mes Shqipërisë e Greqisë, por sa shikoj ekziston “frika” se mos mërzitet Greqia. Resul Demi, Hektor Sejko, Ibrahim Hoxha sot nuk janë më, Nexhat Mërgjyshi janë njerëz që na kanë treguar masakrën mbi çamët. Kjo është një çështje tepër e rëndësishme. Zgjidhja për çështjen çame është shumë afër. Kjo është çështje dinjiteti. Një plak, që kishte qenë dëshmitar në masakrën e Reçakut, kur u pyet pas 20 vitesh, tha se gjenocidi nuk plaket.
(d.xh – BalkanWeb)