Ndërsa Republika e Gjeorgjisë përgatitet për të mbajtur zgjedhjet më 26 tetor, ekziston frika se partia në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ mund të mos heqë dorë lehtësisht nga pushteti. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga kryeqyteti Tbilisi, shumë organizata të shoqërisë civile po mobilizohen për të siguruar që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme.

Demokracia e Gjeorgjisë është para një sprove. Për shumë votues, e ardhmja e vendit është në rrezik.

Në pranverë, mijëra njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër ligjit të qeverisë për ‘agjentët e huaj’, i miratuar në qershor. Ligji kërkon që organizatat, të cilat sigurojnë mbi 20 për qind të buxhetit të tyre nga jashtë vendit, të regjistrohen si ‘agjentë të huaj’.

Kritikët thonë se ligji imiton legjislacionin rus të përdorur për të goditur kundërshtarët. Qeveria këmbëngul se ligji është i nevojshëm për të treguar se kush i financon organizatat politike.

Një ndër objektivat kryesore të qeverisë është Eka Gigauri, drejtuesja e degës gjeorgjiane të organizatës kundër korrupsionit ‘Transparency International’. Ajo ka refuzuar ta regjistrojë organizatën si ‘agjent të huaj’ duke rrezikuar të ndiqet penalisht dhe të ndëshkohet me gjoba të mëdha.

“Ne po përdorim të gjitha mjetet ligjore për të luftuar, për të rezistuar, për të mos u bindur dhe për të informuar qytetarët për shkeljet e qeverisë. Por gjithmonë ekziston frika që qeveria të fillojë ta zbatojë këtë ligj”, thotë zonja Gigauri.

Ajo nuk është e vetme, shumica e organizatave të shoqërisë civile kanë refuzuar të pajtohen. Disa, si organizata e pavarur ‘Tabula Media’, kanë gjetur mënyra për ta anashkaluar ligjin.

“U detyruam ta rithemelojmë organizatën në një vend të BE-së, në Estoni, por kjo ndërlikon thellësisht operacionet financiare dhe i vë punonjësit në rrezik të ndjekjes penale nga shteti”, thotë zoti Sutidze.

Organizata pro demokracisë ‘Shame’ fillimisht u pajtua dhe u regjistrua si agjent i huaj. Por në fillim të shtatorit, grupi e ndryshoi vendimin e tij pas një reagimi publik.

“Situata u përshkallëzua në teori konspirative dhe sulme personale, njerëzit na quajtën tradhtarë”, thotë një nga drejtuesit e organizatës ‘Shame’, Dachi Imedadze.

Tani organizata po bën fushatë për t’i bindur të rinjtë të votojnë.

“Shumë prej tyre do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje”, thotë ai.

Nino Lomjaria drejton organizatën jo qeveritare “Orbita Evropiane e Gjeorgjisë”. Fletëpalosjet e saj zgjedhore kanë një mesazh të prerë.

“Një fletëpalosje thotë, ‘do të zgjidhni mirëqenien evropiane apo kënetën ruse?’”, thotë ajo.

Zonja Lomjaria gjithashtu refuzoi të regjistrohej si agjente e huaj. Ajo thotë se shumë organizata të shoqërisë civile po bashkëpunojnë përpara zgjedhjeve.

“Ajo që bëmë ishte krijimi i një koalicioni në shkallë të gjerë për vëzhgimin e zgjedhjeve, i cili përbëhet nga rreth 30 organizata. Plani ynë është që të jemi të pranishëm në çdo qendër votimi për të vëzhguar të gjithë procesin e votimit dhe numërimit të votave”, thotë znj. Lomjaria.

Ekziston frika se partia në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ mund të mos heqë dorë lehtësisht nga pushteti. Partia thotë se do të respektojë vullnetin e popullit.

Gjashtë muaj pas protestave, një qetësi e brishtë është rikthyer në rrugët e Tbilisit, përpara zgjedhjeve. Shumë organizata të shoqërisë civile tani po përqendrojnë përpjekjet e tyre për t’u siguruar që votimi do të jetë i lirë dhe i drejtë./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: