TIRANË

Pas takimit me delegacionin e Parlamentit Europian i cili zbarkoi sot në Tiranë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u shpreh se opozita nuk ka asnjë kthim pas, ndërsa pohoi se për shqiptarët do të vijnë gjëra të bukura.

Në një komunikim të shkurtër për mediat, e para e LSI-së tha se protestat treguan se opozita është në rrugën e duhur.

“Unë di të them se nuk ka asnjë hap pas. Opozita nuk do të këtë asnjë hap pas. Shqiptarët janë mandatet tona më të pastra. Protesta e 16 shkurtit, protesta e 21 shkurtit dhe protesta e djeshme, tregoi dhe njëherë që opozita është në rrugën e duhur. Jam e bindur që të gjithë ju gazetarët e terrenit, jeni në rrugën e duhur që e paraqisni opozitën në çdo moment prezent në aktivitetet e saj. Gjëra të bukura do të vijnë për shqiptarët”, tha Kryemadhi.

Delegacioni i PE-së ka nisur një tur takimesh në Shqipëri dhe në fokus të bisedimeve është situata politike, djegia e mandateve nga ana e opozitës si dhe protestat e qytetarëve kundër qeverisë.

Ky delegacion prej 7 anëtarësh do të qëndrojë deri nesër në orën 10:00, ndërsa në “lupën” të tyre është edhe analiza mbi reformat  që ka arritur Shqipëria. Në qershor është testi për vendin tonë  sa i takon hapjes së negociatave me BE.

 

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb