Presidenti rus Vladimir Putin ka komentuar vijimin e diskutimeve për paqen në Ukrainë ditën e sotme, ndërsa i është përgjigjur edhe një kërkese nga homologu amerikan, Donald Trump.
Ai u shpreh se situata ka filluar të lëvizë pas bisedimeve me të dërguarin e Donald Trump, Steve Witkoff në Moskë, duke shtuar “le të shohim se çfarë do të ndodhë prej saj”.
Putin adresoi gjithashtu kërkesën e Trump për të kursyer jetën e trupave ukrainase.
“Unë i kam kërkuar me forcë Presidentit Putin që t’i kursehet jeta. Kjo do të ishte një masakër e tmerrshme, e paparë që nga Lufta e Dytë Botërore”, u shpreh Trump në Truth Social.
Duke iu përgjigjur komenteve të Trump, Putin u bëri thirrje autoriteteve ukrainase që të japin urdhër që ushtarët e tyre të dorëzohen.
Ai u shpreh se në rast se ata dorëzohen, Rusia do të garantojë se do t’u shpëtohet jeta.