TIRANE – T’i flasësh për fëmijë një çifti që nuk ka të tillë, nuk është aspak një gjë e lehtë, por as edhe e mirë. Ja një manual me frazat që nuk u duhen thënë kurrë miqve pa fëmijë, të këshilluara nga ekspertët.

“Shijojeni jetën sa jeni pa fëmijë, sepse me ta, ajo ka për t’ju ndryshuar plotësisht.”
Kjo është një nga ato frazat klishe që nuk merr parasysh qëllimin e çiftit në lidhje me të; po në qoftë se ata, në fakt, do të donin të bënin një ndryshim të tillë në jetën e tyre?! Kjo frazë gjithashtu thekson dallimin mes jush dhe atyre, duke krijuar distancë të ndërmjetme.

“Lum si ju, ju kemi zili.”
Kjo frazë nuk duhet thënë, sepse është një pohim absolutisht i ekzagjeruar dhe i njëanshëm. Ju mund të keni zili lirinë e çiftit, por nuk rezultoni aq të sinqertë sa duhet, sepse përndryshe nuk do të kishit bërë fëmijë. Miqtë, në këtë rast mund të ndihen si të tallur!

Akoma më keq, ata mund të mendojnë se ju nuk jeni në gjendje që të kuptoni se sa me fat jeni që jeni bërë prindër.

“Si jeni akoma pa fëmijë?”
Në këtë mënyrë do të tregoheshit shumë të bezdisshëm, sepse ju nuk e dini nëse gjërat janë vërtet kështu dhe ndoshta ata e kanë vendosur, por nuk ia arrijnë dot. Ose mbase kanë zgjedhur që të mos kenë, por nuk tentojnë të justifikohen. Çifti mund të ndihet si me shpatulla pas murit.

“Fëmijët tanë bëjnë këtë … fëmijët tanë bëjnë atë …”
Fraza që të mërzisin gjithmonë. Duke i vënë fëmijët gjithmonë në qendër të diskutimeve, nuk do të lini hapësirë për të tjerët. Mund të jepni përshtypjen se me ju nuk ka argumente të tjera për t’u trajtuar dhe se miqësia ka rrezik të zbehet apo më keq akoma, të marrë fund. Sigurisht se të flisni për fëmijët tuaj është diçka normale, por jo ta monopolizoni bisedën.

“Po e provoni? Që prej sa kohësh?”
Këto pyetje kanë një efekt “persekutimi” për çiftin, që mund të ndihet nën presion. Nëse e perceptoni me të vërtetë një problem, mundohuni t’i jepni një zgjidhje të mundshme me delikatesë, sepse vetëm kështu mund të jeni miq të mirë.

“Fëmijët janë lumturia e vërtetë në jetë”
Edhe kjo është një frazë klishe që i thekson çiftit pa fëmijë një eksperiencë të munguar. Bën që diferenca të ndihet edhe më shumë mes jush. Ndër të tjera, presupozon se kush nuk ka fëmijë, nuk e njeh gëzimin. Kjo është absolutisht false dhe paragjykuese.
“Festa e fëmijëve: shpresoj që të mos mërziteni.”
Nëse e thoni këtë, do të thotë se keni shprehur një paragjykim, sepse ndryshe përkthehet: kush nuk ka fëmijë, nuk argëtohet me fëmijët.

“E keni marrë parasysh adoptimin e një fëmije?”
Adoptimi është një rrugëtim drejt prindërimit shumë intim; me një frazë të ngjashme, ju mund të “pushtoni” sferën private të çiftit. Për më tepër, kjo pyetje mund të tingëllojë si një referencë ndaj tentativës së mosarritur për të pasur një fëmijë në mënyrë të natyrshme. Më mirë të flisni për adoptimin në përgjithësi ose të prisni që të jenë miqtë ata të cilët duan ta hapin vetë këtë temë.

“Nuk jeni prindër, ndaj nuk mund të kuptoni se …”
Çifti pa fëmijë mund të ndihet shumë i ofenduar, sepse ju e përjashtoni nga një diskutim i caktuar në lidhje me fëmijët. Ndonjëherë është normale që mund të mendoni një frazë të tillë, por është më mirë që mos ta shprehni në këtë mënyrë.
(er.nu/shqip/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: