GJERMANI-Qeveria gjermane vendosi sot dërgimin e 950 trupave në detin Mesdhe duke rritur kështu numrin e personelit për kapjen trafikantëve të qenieve njerëzore.

Dy anijeve ekzistuese të shpëtimit dhe grupit të mbledhjes së të dhënave, i shtohen një fregatë dhe një anije me furnizime me një personel prej 320 ushtarësh, manovër kjo që filloi në maj.

Qëllimi i kësaj ka të bëjë me kapjen e anijeve të përdorura nga trafikantët që operojnë në Gjirin e Libisë.

Duke qenë se ky mision mund të kërkojë edhe përdorimin e forcës, parlamenti gjerman duhet të japë miratimin e tij për zbarkimin e trupave.

Bundestagu ka gjasa ta miratojë këtë masë në fillim të muajit tetor.

Shtetet anëtare të BE-së miratuan ditën e hënë shtrirjen e operacionit.

Me anë të kërkesës për solidaritet brenda Bashkimit Evropian, ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe ajo e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen shpresojnë që misioni të japë efekt frenues.

Rreth 2 620 emigrantë dhe refugjatë kanë vdekur gjatë këtij viti në përpjekje për të kaluar detin Mesdhe, nga Libia për në Itali, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: