GJERMANI- Mëngjesin e sotëm në qytetin e Këlnit, njësitet e policisë antidrogë kanë arrestuar 15 persona dhe kanë bastisur afër 50 banesa në një kompleks banimi (Hochhauskomplex “Auf dem Kölnberg”). Gjatë këtij aksioni policor është konfiskuar një sasi e madhe e drogës, ndërsa është arrestuar edhe koka e këtij grupi kriminel, një 44- vjeçar nga Kosova, njofton INA.

Gjykata për 3 vite me radhë kishte filluar hetimin e kësaj bande kriminele, ku gjatë hetimeve është zbuluar se ata kanë shitur me qindra kilogramë drogë, kokainë e heroinë “Një sistem tejet i modernizuar i këtij rrjeti ku si shpërndarës të drogës u përdorën klientët e droguar dhe kontrolli total bëhej nga 44-vjeçari kosovar”, informon për media kryeprokurori i gjykatës në Köln.

Për të parandaluar komunikimin mes të arrestuarve, Gjykata po ashtu ka urdhëruar shpërndarjen e të arrestuarve nëpër burgje të ndryshme në regjion. Sipas të dhënave, 4 nga të arrestuarit janë femra 36 deri në 47 vjeç dhe 11 burra të moshës nga 19 dhe 54. Dy femra, janë me nënshtetësi të Kosovës.

Sistemi i këtij rrjeti kishte ndaluar që shpërndarësit të shesin drogë në rajonin e tyre, duke marrë kështu trafikimin e tërësishëm të drogës në zonë. Gjatë sjelljes së këtij sistemi, rrjeti i familjes nga Kosova kishte arritur me sukses të largojë që të gjithë konkurrentët duke përfshirë këtu edhe mafian ruse, si dhe grupin e rokerëve ‘Hells Angels’.

Gjatë bastisjeve të banesave, policia ka gabuar duke hyrë në banesën e një personi, i cili nuk ishte i përfshirë në këtë bandë, ku ka goditur 2 persona të cilët morën lëndime të lehta dhe ka vrarë një qen të tyre. Gjykata ka shpjeguar se ndaj kësaj familje do bëhet dëmshpërblimi sa më i shpejtë.

Gjatë këtij aksioni morën pjesë rreth 400 policë. Mësohet se kjo familje, e cila kontrabandonte drogë, dy vite më parë kishte rënë në konflikt me një grup kontrabande nga Shqipëria ku gjatë përleshjeve mes këtyre dy grupeve mbetën të vdekur 2 persona.

Atëkohë policia nuk kishte arritur të arrestojë ndonjë nga familjarët e grupës së Kosovës pasi mungonin provat.

Gjykata ka ngritur akuzat ndaj kësaj familjeje për trafikim të narkotikëve të ndryshëm, vrasje, plagosje, dhunë, presion, abuzim të të drejtave njerëzore, anashkalim financash, pastrim të parave, trafikim armësh etj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: