DRESDEN – Policia gjermane ka ndaluar zhvillimin e një mitingu të planifikuar nga lëvizja anti-islamike “Pegida” dhe tubime të tjera të hapura publike në qytetin lindor të Drezdenit, parashikuar për nesër. Arsyeja e ndalimit është një kërcënim që ka ardhur nga terroristët në drejtim të kreut të kësaj lëvizjeje, Bachmann.


Policia e Dresdenit tha sot se kishte marrë informacione nga homologët e saj për një “kërcënim konkret” kundër grupit populist të krahut të djathtë. E përditshmja Bild njoftoi se kërcënimi kishte në shënjestër liderin e Pegida-s, Lutz Bachmann.


Në marshimet e saj, që nga themelimi në muajin tetor të viti 2014 në Dresden, “Pegida” ka shprehur zemërim kundër Islamit dhe azilkërkuesve. Pegida, një shkurtim i “Patriotische Europaer Gegen die Islamisierung des West” do të thotë: “Europianët Patriotë Kundër Islamizimit të Perëndimit”; kjo lëvizje po kritikohet ashpër për ksenofobi dhe përkrahje të ideologjisë naziste.


(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: