BERLIN- Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy theksoi sot se kriza aktuale e emigracionit është sfida më e madhe për Evropën për vitet e ardhshme, ndërkohë që Evropa është përballur me një fluks në rritje të refugjatëve.

“Kjo që po jetojmë tani, është sfida më e madhe për Evropën për vitet e ardhshme. Ne duhet të gjejmë një përgjigje përballë kësaj sfide të madhe”, theksoi drejtuesi konservator në një konferencë shtypi me homologen, Angela Merkel.

“Spanja është përballur në kufijtë e saj me tragjedi të ngjashme me ato që ndodhin aktualisht në kufij të tjerë të Bashkimit Evropian”, shtoi ai.

Merkel nënvizoi nga ana e saj se nëse vendi i saj pranonte sirianët pa i ridërguar ato drejt vendeve evropiane në të cilat ato mbërrijnë ata kanë shumë mundësi për të marrë statusin e refugjatëve.

“Kjo nuk është një e papritur dhe këtë duhet të bëjnë në fakt të gjithë vendet evropiane”, shtoi ajo, ndërkohë që vendi i saj ka parashikuar të presë në vitin 2015, rreth 800 000 kandidatë për azil, më shumë se të gjitha vendet e tjera evropiane.

Dy drejtuesit këmbëngulën në nevojën për një politikë të përbashkët imigrimi dhe azili me vendet e Bashkimit Evropian, në zbatimin e një shpërndarjeje të drejtë të kandidatëve për azil, hapjen e qendrave para klasifikimit në kufijtë evropianë mes imigrantëve ekonomikë dhe refugjatëve, veçanërisht në Itali dhe Greqi.

“Qëndrimi spanjoll do të jetë konstruktiv. Evropa ka nevojë për marrëveshje, solidaritet”, theksoi Rajoy duke akuzuar Komisionin Evropian, Romën dhe Athinën se nuk kanë bërë mjaftueshëm.

“Ne duhet tashmë të punojmë së bashku për krijimin e një politike të përbashkët azili dhe të mos akuzojmë njëri tjetrin, neduhet të ndryshojmë gjërat”, deklaroi Merkel.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb