Taksapaguesit në Gjermani duhet të përgatiten për taksa edhe më të larta. Gjatë bisedimeve për koalicion nuk është vendosur ende për uljen e tatimit mbi të ardhurat .
Sipas vlerësimeve të Institutit Ekonomik Gjerman (IW) koalicioni i ardhshëm i partive konservatore CDU/CSU dhe i socialdemokratëve “pritet të përballet me vështirësi serioze financiare”.
Jochen Pimpertz, ekspert për taksat dhe çështjet sociale pranë IW-së, bëri të qartë në një intervistë me agjencinë gjermane të shtypit DPA në Berlin se kontributet për sigurimet shoqërore për punonjësit dhe punëdhënësit në Gjermanikanë arritur që tani nivelin 42.3 për qind të të ardhurave. Duke iu referuar të dhënave të mbledhura dhe analizuara nga instituti privat i kërkimit IGES Pimpertz tha se për vitet e ardhshme kontributet për sigurimet shoqërore parashikohet të rriten në thuajse 46 për qind .
Një nga arsyet është rritja e kostove për sigurimet shëndetësore. Rritja e shpenzimeve është gjithashtu më e madhe se sa supozohej më parë, pasi ligjvënësit kanë kërkuar që fondet e sigurimeve shëndetësore të reduktojnë rezervat e tyre financiare në mënyrë që të stabilizojnë normat e kontributeve pas pandemisë së virusit korona. Tani nuk ka më amortizator për të zbutur një rritje të vazhdueshme të normës së kontributit.
Shpenzime shtesë në miliarda për stabilizimin e nivelit të pensioneve
CDU/CSU dhe SPD po planifikojnë edhe reforma për pensionet. Marrëveshja e koalicionit premton ta mbajë nivelin e pensioneve në nivelin 48 për qind të rrogës para pensionit deri në vitin 2031. Sipas ekspertit të IW Pimpertz për të arritur këtë qëllim duhet të investohen gjithnjë e më shumë miliarda euro për shkak të plakjes së shoqërisë. Sipas marrëveshjes së koalicionit kjo synohet të bëhet me ndihmën e të ardhurave nga tatimet.
Ulja e tatimit mbi të ardhurat dhe rritja e pagës minimale “jo të sigurta”
Friedrich Merz vuri në dukje se ulja e tatimit mbi të ardhurat për personat me të ardhura të vogla dhe të mesme, që ishte shpallur në marrëveshjen e koalicionit nuk ishte aspak një punë e kryer. “Jo, nuk është vendosur ende”, tha Merz për gazetën “Bild am Sonntag”. Merz tha se tatimi mbi të ardhurat do të ulet “nëse buxheti publik e lejon një gjë të tillë”.
Edhe rritja e pagës minimale në 15 euro për orë deri në vitin 2026 nuk është vendosur ende, tha Merz për “Bild am Sonntag”. “Ne nuk kemi rënë dakord për këtë, tha Merz, “por mendojmë se Komisioni për Pagat Minimale po mendon në këtë drejtim. Nuk do të ketë automatizëm ligjor.”
Paga minimale në Gjermani aktualisht është 12.82 euro. Shumë punonjës kanë frikë se në fund të mandatit të qeverisë CDU/CSU dhe SPD do të kenë edhe më pak para në xhepat e tyre për shkak të rritjes së kontributeve për sigurimet shoqërore dhe mosuljes së taksave./ DW