Një milion refugjatë u strehuan në Gjermani gjatë 2015, një pjesë e madhe e tyre pa kontroll. Mirëpo ligjet burokratike i kanë bërë të pamundur inxhinierit gjerman, Peter Schmidt, të merrte të dashurën e tij nga Kosova, Teuta Roma, 48. Historia e marrë nga otz.de, e sjellë nga Bota sot tregon gjithë peripecitë e gjermanit për t’u bashkuar me gruan e tij kosovare.

“S’dua të më kuptoni gabim – nuk kam asgjë kundër njerëzve,” thotë 61-vjeçari gjerman, i cili dëshiron të jetë pjesë edhe e kurseve për integrimin e të rinjve refugjatë në Gjermani.

Romanca që bëri për vete gjermanin me shqiptaren
Në fillim të 2010 ai shkoi si pjesë e një firme gjermane në Afganistan, ku operojnë ushtarët e NATO-s në kampin Masar-i-Sharif. Katër herë rresht fluturoi atje në vitet vijuese, ndërsa në 2013, pyeti shefin nëse mund të transferohej për një kohë në Kosovë.

Peter Schmidt, që ishte ndarë nga gruaja 16 vjet më parë, udhëtoi për në Kosovë ditën e dytë të Krishtlindjeve. Ai u vendos pranë trupave të NATO-s në Prishtinë, por me një qëllim.

“Këtu kishte më shumë mundësi blerjeje. Unë preferoja dyqanin amerikan Levis”, thotë ai, duke i bërë përshtypje edhe shitësja, Teuta, që e ftoi për darkë. “Prej prillit ne u pamë shpesh dhe nuk e kisha problem të udhëtoja për në vendin e saj, Prizren, që kushtonte vetëm 4 euro me rreth 70 kilometra.”

Pas mbarimit të detyrës gjashtëmujore në Kosovë, atij i duheshte të rikthehej në Afganistan, por tani kishte gjetur pjesën tjetër të vetes. Ishte dashuruar me Teutën.

“Bëj diçka që të shihemi përsëri në shtator”, i tha Teuta gjatë ndarjes. Ashtu ndodhi, Schmidt përgatitit gjithë dokumentacionin e nevojshëm për Teutën, që ta ftojë në Gjermani dhe t’i kërkojë dorën e martesës. Aty kur mendon se çdo gjë ka marrë fund, fillojnë problemet.

Pa gjuhë – s’ka vizë
Në 29 dhjetor 2014 ata u martuan përfundimisht. Gruaja e tij kishte një vizë turistike për tre muaj. “Nëse do e dija atëherë, se çfarë do ndodhte më pas, nuk do e lejoja të kthente në Prishtinë”, thotë Schmidt. Në fillim të prillit ajo parashtroi kërkesën për vizë në ambasadën gjermane, ndërsa në qershor i erdhi refuzimi. Arsyeja: Nuk e dinte gjuhën gjermane.

Atëherë burri i saj, kishte pësuar një aksident rrugor dhe dëshironte ta kishte pranë gruan, duke i lutur autoritetet gjermane që nivelin A1 të gjuhës ta mësojë në Gjermani. Por ambasada ia ktheu e vendosur: “Pa gjuhë- s’ka vizë”

Duke mos i mbetur alternativë tjetër, ai punësoi një mësues privat, duke ia mësuar gjermanishten për pak kohë dhe në 21 nëntor ajo dha provimin e nivelit A1.

Lutja e vjehrrës për nusen
Historia e dhimbshme s’mbaroi këtu. Ju desh ndërhyrja e nënës së Schmidt, Ursula, 83, që u shkroi një letër mallëngjyese ambasadës, se sa dëshirë e kishte të përshëndeste nusen nga Kosova.

Fatmirësisht “Happy End”, ndodhi këtë jave. Të enjten Teuta do të shkojë në ambasadë, ndërsa të premten ajo do marrë vizën për të udhëtuar pa probleme tek bashkëshorti i saj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb