GJERMANI– Të paktën 6 persona janë lënduar, mes tyre 4 anëtarë të një familje kosovare si pasojë e një zjarri në një qendër azilkërkuesish në Gjermani.


Mediat gjermane raportojnë se zjarri ka rënë rreth mesditës në një qendër në Chemnitz-Kappel, ndërsa ekipet e emergjencës kanë arritur të evakuojnë 30 banorë të kësaj qendre, ndërsa pjesa tjetër kanë arritur të largohen vetë.


Hoteli i cili përdorej si qendër strehimi për 38 azilkërkues, u përfshi nga flakët rreth orës 12:30. Në një apartament në katin e parë dyshekët morën flakë nga shkaqe ende të panjohura.


Një familje nga Kosova (nëna 29 vjeçe, babai 32, vajza 2 dhe djali 9 vjeç) dhe dy azilkërkues nga Tunizia (18 dhe 31 vjeç), ishin më të rrezikuarit, pasi ishin bllokuar në ndërtesë për shkak të tymit, raporton lajmi.net.

Ekipet e zjarrfikëses kanë arritur të shuajnë flakët, ndërsa personat e lënduar janë dërguar në spital për ndihmën e nevojshme mjekësore.

Momentalisht qendra është e pabanueshme, ndërsa azilkërkuesit janë sistemuar përkohësisht nëpër qendrat e tjera.

(d.d/BalkanWeb)

Etiketa: