Një shtetas sirian, i dyshuar për qëndrime radikale islamike, është arrestuar nën dyshimin se kishte planifikuar të vriste me hanxharë ushtarë gjermanë në qytezën Hof në Bavari, thanë prokurorët të premten.

I dyshuari, 27 vjeç, i kishte siguruar dy hanxharë rreth 40 centimetra të gjatë.

Ai planifikonte të vriste sa më shumë ushtarë të Forcave të Armatosura të Gjermanisë në Hof, të cilët e kalonin kohën e pushimit të drekës atje, thuhet në njoftimin e prokurorëve.

“Me këtë veprim, i akuzuari donte të tërhiqte vëmendje dhe të krijonte një ndjesi të pasigurisë në mesin e qytetarëve”, thuhet në komunikatë.

Gjermania ka vendosur t’i ashpërsojë kontrollet kufitare pas sulmeve vdekjeprurëse me thikë rishtazi, të cilat u kryen nga azilkërkues të dyshuar.

Shteti Islamik e mori përgjegjësinë për një sulm me thikë në qytetin perëndimor, Solingen, ku u vranë tre njerëz në gusht.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb