GJERMANI-BE-ja duhet të rrisë presionin ndaj Rusisë për ta shtyrë të ndryshojë qëndrim në disa kriza, në të cilat është përfshirë, theksoi sot në Bruksel kreu i diplomacisë gjermane, Heiko Maas.

“Ne nuk mund të tolerojmë dështime në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për shkak të vetos së Rusisë. Nuk mund të vazhdohet kështu. Ne duhet të rrisim presionin ndaj Rusisë për ta shtyrë të ndryshojë qëndrim. Ky është kushti kryesor për zgjidhjen e çështjes së konfliktit sirian”, theksoi ai në një konferencë shtypi me presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

Rusia vendosi të martën veton në Këshillin e Sigurimit për një projektrezolutë që parashikonte krijimin e një mekanizmi hetimi për përdorimin e armëve kimike në Siri pas sulmeve në Duma.

Kreu i diplomacisë gjermane përsëriti mbështetjen për propozimin e mbështetur nga Franca për të çuar para drejtësisë penale ndërkombëtare përgjegjësit e sulmeve kimike.

“Përdorimi i armëve kimike nuk duhet të qendrojë pa ndëshkuar, pa pasoja. Nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë”, theksoi Maas.

“Por, ne nuk mund të ndërpresim dialogun me Rusinë”, shtoi ai.

“Ukraina, helmimi në Salisbury, ndërhyrja në Siri, ndërhyrjet në proceset demokratik duhet të diskutohen dhe ne duhet të shikojmë si të reagojmë”, konfirmoi ministri gjerman.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: