Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas, ka deklaruar se vendi i tij ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për t’u bashkuar me koalicionin ndërkombëtar të propozuar nga Mbretëria e Bashkuar për të mbrojtur anijet tregtare që lundrojnë nëpër ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne jemi në kontakt me qeverinë e re të Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë që të mësojmë se cili do të jetë pozicioni i saj. Megjithatë, procesi i planifikimit ende është në një fazë shumë të hershme”, tha kryediplomati gjerman në një intervistë me grupin e mediave Funke.

Maas tha se vendimi nëse Gjermania do të bashkohet me një mision të tillë ndërkombëtar do të merret pasi Berlini do të marrë një mendim të qartë se si ky mision do të duket.

“Vetëm atëherë mund të adresohen çështjet relevante politike dhe ligjore, që duhet të përgjigjen para se të merret një vendim i tillë”, tha ai.

Mediat lokale dje rapotuan se Maas informoi komitetin e çështjeve të jashtme të parlamentit gjerman rreth qëllimit të qeverisë për t’u bashkuar me koalicionin ndërkombëtar të propozuar nga Mbretëria e Bashkuar. Qeveria gjermane duhet të marrë miratimin parlamentar për të dërguar anije detare në Gjirin Persik.

Të hënën, Mbretëria e Bashkuar bëri thirrje për një mision detar të udhëhequr nga Evropa për të garantuar kalimin e sigurt në Gjirin Persik, pas konfiskimit të tankerit britanik javën e kaluar nga Irani.

Më parë, SHBA-të po ashtu njoftuan plane për një koalicion ushtarak ndërkombëtar për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve në Gjirin Persik dhe Jemen.

Tensionet me Iranin u përshkallëzuan muajin e kaluar pasi dy tankera të naftës u sulmuan në ngushticën e Hormuzit. SHBA-të e konsideruan Iranin përgjegjës për sulmet, akuzë tashmë e mohuar nga Teherani.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb