Gjermania evakuoi nga Libani stafin joesencial të ambasadës së saj në Bejrut, varësit e tyre dhe disa qytetarë gjermanë me nevoja të ndryshme mjekësore.

Rreth 110 pasagjerë udhëtuan më 30 shtator me avionin A321 të forcave ajrore gjermane, përfshirë diplomatë, pjesëtarë të tjerë të stafit dhe disa qytetarë që konsideroheshin në gjendje të pambrojtur, sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Ministritë e Jashtme dhe të Mbrojtjes njoftuan më parë për fluturimin e veçantë nga Libani i goditur nga konflikti “për të mbështetur largimin e kolegëve dhe familjeve të tyre”, si dhe të stafit të disa organizatave partnere gjermane.

“Qytetarët gjermanë që janë veçanërisht në rrezik për shkak të kushteve mjekësore po ashtu po evakuohen”, thuhej në deklaratë.

Izraeli ka bombarduar objektivat e Hezbollahut të mbështetur nga Irani, në sulme që kanë vrarë qindra dhe kanë detyruar qindra mijëra të tjerë të ikin nga shtëpitë e tyre. Hezbollahu është grup militant dhe Parti politike, që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor.

Ambasada në Bejrut ka mbetur ende funksionale për të ndihmuar rreth 1.800 qytetarë gjermanë në vend.

“Ambasada vazhdon të mbështesë gjermanët e mbetur në Liban në largimin e tyre përmes fluturimeve komerciale dhe mënyrave të tjera”, thuhet tutje në deklaratë.

Në fundjavë, Berlini ngriti nivelin e alarmit për misionet në Bejrut, Tel Aviv dhe Ramallah në Bregun Perëndimor të okupuar.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha të hënën se “ne aktualisht jemi në një fazë ku mbështesim largimin (e qytetarëve), por ne nuk jemi në një skenar evakuimi”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: