MAQEDONI

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, nga Brukseli ka folur për procesin e hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.


Kreu i qeverisë së vendit fqinj tha se Franca dhe  Holanda  kanë shprehur rezerva për nisjen e negociatave më Shqipërinë, ndërsa theksoi se edhe Gjermania ka “frikë” nga kërcënimet e palës shqiptare, se një mbyllje dere me BE-në, mund të shoqërohet me destabilitet në rajon, kryesisht në Kosovë.


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut shkon më tej duke thënë se Gjermania ka frikë edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili sipas tij  mund të kërcënojë palën gjermane me ndryshim kufijsh dhe një bashkim të mundshëm me Kosovën. Zoran Zaev thotë se përkundër lëvizjeve të mundshme, nuk e beson se një gjë e tillë do të ndodhë, ndërsa pohon se një hap i tillë do të ishte kthim me dhjetë vite mbrapa për Shqipërinë.


“Ata mendojnë se nëse i hapin negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe lihet jashtë Shqipëria, do të krijohet problem dhe mund të ndikojë tek Kosova. Gjermanët frikësohen nga kërcënimet e mikut tim Edi Rama për ndryshime të mundshme të kufijve ose bashkimit me Kosovën, por unë nuk besoj në këto punë, pasi kjo do të thotë kthim prapa për 10 vjet për Shqipërinë. Ndërsa një gjë të tillë nuk e dëshiron askush”- tha ai, transmeton  Zhurnal.mk.

(n.m/BalkanWeb)