GJERMANI- Gjermania ka ndërmend të eksperimentojë një praktikë të re sa i përket emigrimit. Përfshirë këtu edhe atë që ministri i Brendshëm, Thomas de Maziere, e ka cilësuar si “marketimi i migracionit”. Në ndryshim nga sa kemi dëgjuar së fundmi, në apelin që zyrtarë gjermanë i drejtojnë shtetasve të huaj, përfshirë ata shqiptarë, mesazhet e fundit flasin për një nevojë ekonomike për emigrantë. Por, “sipas një modeli të kontrolluar”. “Marketimi i migracionit” është i nevojshëm, sepse prognozat e fuqisë punëtore për tregun gjerman të punës në vitet e ardhshme pa emigracion do të jenë të errëta. Një studim i fondacionit “Bertelsmann” ka llogaritur, se numri i njerëzve në moshë pune në Gjermani deri në vitin 2050 mund të bjerë deri në njëmbëdhjetë milionë, në se nuk ka emigracion sistematik. Nga 45 milionë vendet e punës, që janë sot, do të mbeteshin vetëm 29 milionë punonjës.

“Ne gjermanët flasim shumë për lejen, por për ftesën dhe për ardhjen flasim pak”, tha de Maziere në një kongres në Berlin. Për të thënë të vërtetën, të paktën në adresë të shqiptarëve pala gjarmane ka folur shumë për “ardhjen”, të cilës i ka shtuar parashtesën “mos”. Pika më delikate e kësaj politike të re gjermane është ligji që pritet të miratohet. Por, edhe kriteret që po propozohen. Që tani lind polemika lidhur me çështjen, se në cilat vende duhet bërë marketingu i emigracionit gjerman. Ministri nuk e fshehu faktin se do të bëjë reklamë, sidomos në ato vende, që janë të afërta me kulturën evropiane kristiane: “Mendoj se është legjitime, që një vend migracioni të shohë se kush i përshtatet më së miri”. Argumenti i tij, pranimi i emigrantëve nga qytetarët, është më i madh, sa më pranë kulturës së tyre të jenë ato.

“Kundër një argumenti të tillë, që mund të çojë në ndarje të reja me vendet myslimane, mund të krijohet së shpejti rezistencë”, shkruan “Deutsche Welle”. Është ende herët për të folur, por prirje të tilla flasin për shqetësimin që ka zënë rrënjë në Europë mbi ekuilibrat demografikë. Po kështu mbetet ende e paqartë se çfarë do të thotë “përshtatje” me gjermanët dhe si vlerësohet kjo. Nëse do të risjellim në një raport me Shqipërinë, mesazhi gjerman është: jo shqiptarë në Gjermani. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për një “Europë taktike” siç flet ndonjë në Tiranë, por mesa duket për strategji afatgjatë.

(d.d/dw/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: