Gjermania ka deklaruar se kushtet ende nuk janë të favorshme për njohjen e një Palestine të pavarur pasi më herët Irlanda, Spanja dhe Norvegjia njoftuan se do ta mbështesin një veprim të tillë.

“Një shtet i pavarur i Palestinës mbetet një objektiv fiks i politikës së jashtme gjermane. Bëhet fjalë për një proces politik me synimin e një zgjidhjeje me dy shtete, të cilën qeveria federale e konsideron urgjente”, tha zv/zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kathrin Deschauer.

Në një konferencë për media në Berlin, Deschauer tha se zgjidhja e negociuar me dy shtete “është e nevojshme dhe më shumë se kurrë” pasi duhet të “gjendet një zgjidhje për këtë konflikt dramatik”.

Komentet e saj pasojnë njohjen zyrtare të Palestinës si shtet nga Norvegjia, Irlanda dhe Spanja, vendim që do të hyjë në fuqi më 28 maj.

Njohja e Palestinës vjen derisa Izraeli vazhdon sulmet e tij brutale në Rripin e Gazës që kanë vazhduar që nga 7 tetori i vitit të kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.

Palestina është njohur tashmë nga tetë vende evropiane, përkatësisht nga Bullgaria, Polonia, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Hungaria, Suedia dhe administrata e Qipros Greke. Të paktën 35.700 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe rreth 80 mijë të tjerë janë plagosur që nga tetori i kaluar pas sulmit ndërkufitar të Hamasit, shkruajnë mediat e huaja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: