Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se janë të “drejta dhe të rëndësishme” sanksionet që Bashkimi Evropian (BE) zbaton ndaj Rusisë.

Në një seancë pyetje përgjigje në parlamentin federal (Bundestag) Merkel i është përgjigjur pyetjeve të deputetëve.

Në lidhje me zgjatjen e sanksioneve të BE-së kundrejt Rusisë, Merkel tha se “Mos vënia e ndonjë sanksioni do të ishte mirë për të gjithë. Por shkelja e sovranitetit territorial të Ukrainës nga Rusia i bëjnë sanksionet të drejta dhe të rëndësishme”.

Pyetjes rreth çështjes për kryesinë e Komisionit të BE-së, Merkel i është përgjigjur se “Kemi përgjegjësi brenda Evropës. Unë ruaj të njëjtin mendim në çështjen e parimit për kandidatin kryesor, por presidenti francez mendon ndryshe nga unë në këtë çështje. Duhet të vazhdojmë kërkimin e zgjidhjes”.

Presidenca e Komisionit Evropian, institucioni që inicion procesin legjislativ brenda strukturës së BE-së dhe gjithashtu organi përgjegjës për zbatimin e arritjeve, buxhetit dhe programeve si organi ekzekutiv i Bashkimit dhe për mbikëqyrjen administrative, është një prej posteve më të rëndësishme të unionit.

Afati i detyrës së presidentit aktual të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, përfundon më 31 tetor, ndërsa më 1 nëntor, presidenti i ri duhet të fillojë detyrën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb