Gjermania njoftoi se do të mbyllë konsullatat e Iranit në vend, si reagim ndaj ekzekutimit të disidentit gjermano-iranian, Jamshid Sharmahd, transmeton Anadolu.

Duke folur për gazetarët në New York, kryediplomatja gjermane Annalena Baerbock tha se Sharmahd u ekzekutua pavarësisht përpjekjeve intensive diplomatike të Berlinit në nivelin më të lartë politik.

“Ne ia kemi bërë të qartë Teheranit në mënyrë të përsëritur se ekzekutimi i një shtetasi gjerman do të ketë pasoja të rënda, andaj kam vendosur të mbyll Konsullatat e Përgjithshme të Iranit në Frankfurt, Mynih dhe Hamburg”, tha ajo.

Sharmahd, një shtetas gjermano-iranian 69-vjeçar, u ekzekutua në Iran të hënën, pas dënimit të tij për “komplotimin e sulmeve terroriste”, akuzë të cilën ai e mohoi fuqishëm.

Ai u akuzua se drejtonte një grup me seli në SHBA të njohur si “Tondar”, i cili synon të rivendosë monarkinë në Iran, e cila u përmbys nga revolucioni islamik i vitit 1979. Autoritetet iraniane pohuan se grupi kishte planifikuar akte të shumta terroriste kundër Iranit nën urdhrat e agjencive të inteligjencës amerikane dhe agjencive tjera perëndimore.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: