Ministria Federale e Punëve të Jashtme gjermane njoftoi sot se po mbyll tre konsullatat e përgjithshme iraniane në vend.
Mbyllja e konsullatës së përgjithshme u vendos nga qeveria gjermane, pas ekzekutimit të disidentit gjermano-iranian në regjimin e Teheranit, Yamshid Sarmad
Sipas njoftimit të ministrisë, bëhet fjalë për përfaqësitë diplomatike iraniane në Frankfurt, Hamburg dhe Mynih.
Ambasada iraniane në Berlin mbetet e hapur.
Vendimi gjerman nënkupton gjithashtu se 32 zyrtarë konsullorë do të duhet të largohen menjëherë nga Gjermania, nëse nuk kanë nënshtetësi gjermane. Më parë, i ngarkuari iranian me punë ishte thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
“Ne kemi shprehur protestën tonë të fortë kundër veprimeve të regjimit iranian dhe rezervojmë të drejtën për të ndërmarrë veprime të mëtejshme”, tha ministria gjermane në një njoftim në platformën “X”.
Në të njëjtën kohë, ambasadori gjerman në Teheran, Markus Potchel, iu paraqit ministrit të Jashtëm iranian për të shprehur “protestën e fortë” të qeverisë gjermane për vrasjen e Yamshid Sharmad, i cili u dënua për “veprim terrorist”.
Deri më tani, qeveria gjermane ka përdorur një masë të tillë ndëshkuese vetëm në rastin e Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.