Qeveria gjermane tha të shtunën se do të mbyllë përkohësisht ambasadën e saj në Sudanin e Jugut.

“Pas vitesh paqeje të brishtë, Sudani i Jugut është sërish në prag të luftës civile”, tha Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock në platformën e mediave sociale Bluesky.

Ekipi i krizës i Ministrisë së Jashtme Gjermane “për këtë arsye ka vendosur të mbyllë për momentin ambasadën në kryeqytetin Juba. Siguria e punonjësve ka përparësinë kryesore,” shtoi ajo.

Baerbock shkroi gjithashtu se presidenti i Sudanit të Jugut Salva Kiir dhe rivali i tij, zëvendëspresidenti Riek Machar, “po e zhysin vendin në një spirale dhune. Ata kanë përgjegjësinë të ndalojnë dhunën e pakuptimtë dhe më në fund të zbatojnë marrëveshjen e paqes”.

Sudani i Jugut është rrënuar nga paqëndrueshmëria politike dhe dhuna që kur fitoi pavarësinë nga Sudani në vitin 2011.

Në vitin 2018, një marrëveshje paqeje e nënshkruar midis Machar dhe Kiir i dha fund një lufte civile pesëvjeçare në të cilën u vranë më shumë se 400,000 njerëz. Machar shërben si zëvendëspresidenti i parë i vendit në një qeveri të unitetit kombëtar, edhe pse grupi i tij politik kundërshton Kiir.

Rivaliteti politik midis dy burrave shihet gjerësisht si një pengesë kryesore për paqen në Sudanin e Jugut, me Kiir-in dyshues për ambiciet e zëvendësit të tij dhe Machar-in që e quan Kiir-in diktator.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb