Gjermania do t’i dërgojë Ukrainës armë shtesë në vlerë prej 400 milionë euro për të forcuar aftësitë ushtarake të Kievit, transmeton Anadolu.

“Parlamenti gjerman ka rënë dakord të rrisë fondet për mbështetjen ushtarake për Ukrainën me rreth 400 milionë euro”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.

Sipas tij, kjo do të mundësojë “blerjen e aftësive shtesë të mbrojtjes ajrore, tankeve, dronëve, municioneve dhe pjesëve rezervë, të cilat do të forcojnë efektivisht forcat e armatosura ukrainase në mbrojtjen e vendit të tyre”.

Komiteti i buxhetit i parlamentit gjerman miratoi fondet pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, u kërkoi aleatëve perëndimor të rrisin mbështetjen e tyre ushtarake mes sulmeve të shtuara ruse që shënjestrojnë infrastrukturën kritike të vendit.

Që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022, sipas shifrave zyrtare, Gjermania ka dorëzuar ose rezervuar 28 miliardë euro armë në Ukrainë.

Ndihma ushtarake ka përfshirë armë dhe pajisje të avancuara si tanke luftarake “Leopard 2”, tanke kundërajrore “Gepard”, automjete luftarake “Marder”, si dhe sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot” dhe “IRIS-T”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb