SERBI-Përpos 11 kushteve për hapjen e kapitullit kryesor për Kosovën në negociatat Beograd-Bruksel, Gjermania para Serbisë ka dërguar edhe një kërkesë ku kërkohet që Kushtetuta serbe të harmonizohet me Marrëveshjen e Brukselit.

Pa plotësimin e këtyre kërkesave nuk do të ketë hapje të kapitullit 35, dhe për pasojë anëtarësimi i Serbisë përfundimisht varet nga përmbushja e këtij kapitull, njofton Novosti, përcjell Koha.net.

Në Beograd ka shumë drojë dhe pasiguri se çfarë përmban, siç thonë atje, “kurthi gjerman për Serbinë rreth Kosovës”.

Profesori serb i të Drejtës kushtetuese, Ratko Markoviq, ka thënë për këtë gazetë beogradase se kërkesa për harmonizimin e Kushtetutës së Serbisë me Marrëveshjen e Brukselit ka të bëjë me të gjitha pjesët e këtij akti (Kushtetutës) ku përmendet Kosova.

“Pres që Brukseli të kërkojë që të hiqet, fshihet, theksimi AP KiM (Krahina autonome e Kosovë Metohisë) në pjesën për rregullimin territorial të Serbisë dhe që të fshihet fjalia se autonomia esenciale e KiM do të rregullohet me ligj të posaçëm. Po ashtu Brukseli do të insistojë që në Kushtetutën e Serbisë prioritet të jetë e drejta ndërkombëtare para asaj vendore”, ka thënë Markoviq.

 (d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: