Gjermania planifikon të veçojë 500 milionë euro vitin e ardhshëm për të ndihmuar vendet më të varfëra të mbrohen më mirë nga pasojat e ndryshimit të klimës, deklaroi sot ministri i Zhvillimit Gerd Mueller, në samitin e OKB-së për klimën.

Ministria e Zhvillimit prezantoi planin për një fond të fatkeqësive natyrore me kompanitë e sigurimeve “Global Parametrics” dhe “Hannover Re” në samitin e ndryshimit të klimës në Madrid.

Fondet kanë për qëllim të sigurojnë që grupet e ndihmës dhe organizatat e tjera në vendet në zhvillim të përballojnë ndihmën pas një katastrofe natyrore.

Maria Flachsbarth, Sekretarja Parlamentare e Shtetit për Ministrinë, deklaroi se Gjermania do të japë fillimisht 25 milionë euro për këtë përpjekje e përveç kësaj, më shumë para do të vihen në dispozicion të fondit “Blue Action”, që mbron ujin dhe vijat bregdetare në perëndim të oqeanit Indian.

Sabine Minniger, eksperte e ndryshimit të klimës, pjesë e grupit gjerman të ndihmës “Brot fuer die Welt” (Bukë për botën), vlerësoi iniciativën, por gjithashtu bëri thirrje për rregulla më të drejta, kur bëhet fjalë për sigurimin e rrezikut të klimës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb