Kaosi i autoriteteve në krizën e refugjatëve nuk po merr fund. Dhjetra mijëra vetë nuk gjenden më. Çfarë ka ndodhur me ta? Kanë kaluar në ilegalitet, në një vend tjetër apo janë regjistruar gabim?

Sipas një gazete gjermane regjistrimi dhe shpërndarja e refugjatëve në Gjermani po paraqitet me probleme të mëdha. Gazeta gjermane „Süddeutsche Zeitung“ raportoi së fundmi se gati çdo i teti refugjat zhduket nga radari i autoriteteve. Vitin e kaluar rreth 13% e refugjatëve të regjistruar nuk janë paraqitur në qendrat e pranimit. Këtë përgjigje e jep edhe qeveria gjermane me kërkesë të partisë së Majtë në opozitë. Në vitin 2015 u regjistruan me sistemin e ashtuquajtur EASY 1,1 milionë refugjatë në Gjermani, një sistem që bën shpërndarjen e parë të refugjatëve. Pra sipas llogaritjeve autoriteteve gjermane u kanë „humbur“ 142.000 vetë në vitin e kaluar.

Ministria e Punëve të Brendshme përmend si arsye të mundshme vazhdimin e udhëtimit të refugjatëve në vende të tjera, por edhe kalimin e tyre në ilegalitet. Këtu bëjnë pjesë edhe ata njerëz që janë strehuar tek të afërmit, thotë një zëdhënës i ministrisë.

Regjistrime të dyfishta pa të dhëna personale

Por për zhdukjen e refugjatëve mund të jetë përgjegjëse edhe software i regjistrimit, pranon Johannes Dimroth, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Berlin. EASY është një instrument shpërndarës i refugjatëve në landet gjermane, deklaroi ai në Berlin, por pa qenë i programuar që të përfshijë të dhënat personale të tyre. Në këtë sistem paraqiten shpesh regjistrime të dyfishta të refugjatëve, që nuk duan të qëndrojnë në Gjermani, thotë Dimroth. Që nga mesi i shkurtit po ngrihet një sistem i shpejtë krahasimi i gjurmëve të gishtërinjve, me të cilin autoritetet përkatëse mund të përcaktojnë, nëse janë regjistruar më parë të dhëna për një refugjat.

Ministria e Punëve të Brendshme gjermane bëri të ditur se problemi i refugjatëve me vendqëndrim të paditur është një fenomen i njohur dhe se janë marrë masa për t’iu kundërvënë kësaj. Dimroth kujton futjen në shkallë të gjerë të “letërnjoftimit të mbërritjes” për refugjatët si edhe lehtësimin e shkëmbimit të të dhënave mes autoriteteve. Këto masa do të ulin dukshëm në të ardhmen numrin e tyre, thotë zëdhënësi Dimroth.

Humbje gjatë udhëtimit në vend të “kalimit në ilegalitet”

Zëdhënësja për çështje të politikës së brendshme e grupit parlamenta të Partisë së Majtë, Ulla Jelpke, e cila i bëri kërkesën qeverisë gjermane kundërshton deklaratën e qeverisë gjermane. “Të bësh fjalë për një ‘kalim në ilegalitet’ hap rrugën e keqkuptimeve, dhe nuk shkon me situatën. Pjesërisht bëhet fjalë për njerëz që janë strehuar tek miq apo të afërm, ‘në vend që të mblidhen në strehimoret e azilit dhe sallat e sportit’”. Tek të tjerët bëhet fjalë për familje, të cilat janë shpërndarë në qendra të ndryshme strehimoresh. E Majta bën përgjegjëse qeverinë për problemet në regjistrimin e refugjatëve.

Ende ka një shifër të lartë azilkërkuesish, të cilët presin gjatë për një orar paraqitjeje në zyrat e degët e landeve të Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatë, BAMF. Jelpke kritikon faktin që zgjat më shumë se tre muaj derisa azilkërkuesit të shtrojnë kërkekën për azil. Por qeveria gjermane shpreson që me masat e marra të pranohen më shpejt kërkesat e azilit në tremujorin e parë të këtij viti.

(d.d/DW/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: