TIRANE – 400 familje, të shpronësuara që prej vitit 1994 për ndërtimin e ujësjellësit të Bovillës, pas një kalvari 22-vjeçar do të gëzojnë të drejta të plota mbi ndërtesat dhe trojet e tyre, të caktuara si kompesim.

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit miratoi sot projektligjin e paraqitur nga Ministria e Zhvillimit Urban , “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 9232, datë 13.05.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar”.

Nëpërmjet projektligjit, 400 familjeve do t’u jepet mundësia të disponojnë, në mënyrë të plotë, pasuritë e akorduara më parë, si formë kompensimi për humbjen e banesave të tyre, për shkak të veprës publike të ujëmbledhësit të Bovillës.

Në mbledhjen e sotme të komisionit kuvendor morën pjesë, Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI, Artan Lame, të cilët informuan deputetët mbi rastin e Bovillës, por edhe lidhur për procesin e rishikimit të ligjit për Programet Sociale të Strehimit në tërësi, nisur në Mars të këtij viti.

“Në fund të korrikut ne përfundojmë draftin e parë të ligjit të rishikuar, i cili do t’i shpërndahet ekspertëve, shoqërisë civile, donatorëve, botës akademike, shoqatave që përfaqësojnë interesat e grupeve vulnerabël, bashkive dhe ministrive apo institucioneve publike që adresojnë çështjet që lidhen me grupet vulnerabël, për të marrë mendimet dhe sygjerimet e tyre.

Qëllimi ynë është që nëpërmjet ndryshimeve ligjore në ligjin aktual të strehimit të bëjmë të mundur përfshirjen e sa më shumë kategorive në nevojë, të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme, si përfitues direkt të programeve të strehimit, të cilat gjithashtu do të reformatohen për t’ju përgjigjur nevojave aktuale për strehim”, tha Ministrja në fjalën e saj.

Më tej ajo nënvizoi se ndryshimet e propozuara në ligjin “Për Programet Sociale të Strehimit”, jo vetëm që nuk sjellin asnjë kosto shtesë për buxhetin e shtetit, por dhe i japin zgjidhje përfundimtare shqetësimit të 400 familjeve të shpërngulura nga ndërtimi i Ujësjellësit të Bovillës, çështja e të cilëve duhej të ishte zgjidhur kohë më parë.

“Organet e njësive të qeverisjes vendore përgjegjëse për paisjen e të 400 familjeve me dokumentacionin e pronësisë, në 22 vite nuk kanë kryer asnjë veprim për përfundimin e procedurave administrative të nevojshme për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin e dhënë si kompesim për këto familje. Së dyti, fenomeni i ndërtimeve informale që pllakosi si gangrenë në këto 20 e kusur vite të gjithë territorin ka penguar përfundimin e procedurave ligjore për kalimin në pronësi të pasurive të paluajtshme në favor të këtyre 400 familjeve”, tha Ministrja Gjermeni, e cila theksoi edhe një herë angazhimin e Qeverisë për legalizimin e pjesës më të madhe të ndërtimeve informale brenda këtij mandati qeverisës.

Drejtori i përgjithshëm i ALUZINI në përgjigje të pyetjeve të deputetëve bëri me dije se, deri më tani nuk është evidentuar asnjë grup tjetër i madh familjesh të patrajtuara ligjërisht për të drejtën e tyre mbi pronën, siç ishte rasti i Bovillës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: