TIRANE- Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni mori pjesë te premten në ceremoninë e shpërndarjes së çerfitikatave për 40 pjesëmarrësit e parë në kursin e formimit të vazhduar, për vlerësuesit e tokave bujqësore, pyjore, kullotave, livadheve dhe tokës së pafrytëshme. Kursi 6 mujor është një bashkëpunim i Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban.

Në fjalën e saj, Ministrja Gjermeni theksoi se që prej vitit 2013, kur u krijua Ministria e Zhvillimit Urban, një prej prioriteteve ishte liçensimin i vlerësuesve të pasurive të paluajtshme. “Kuadri ligjor që ne trashëguam në vitin 2013, nuk e rregullonte licencimin, sa i takon vlerësuesve të specializuar të pasurive rurale, ndaj Ministria e Zhvillimit Urban, hartoi rregulloren e re që u miratua nga Qeveria në shkurt të vitit 2015. Deri më sot, falë procesit të drejtuar nga MZHU janë licensuar 551 individë si vlerësues të pasurive të paluajtshme, duke çuar në total në 978, numrin e vlerësuesve në të gjithë vendin”, tha Ministrja Gjermeni.

Ajo bëri me dije se, ditën e martë, në Këshillin Kombëtar të Territorit do të miratohen 3 planet: Plani i Përgjithshëm Kombëtar i Territorit, Plani i Integruar Ndërsektorial i zonës ekonomike Tiranë – Durrës dhe Plani i Përgjithshëm Ndërsektorial i Bregdetit.

“Këto 3 plane dhe 31 planet e përgjithshme vendore që do të hartohen brenda këtij viti përbëjnë procesin historik të planifikimit të territorit në vendin tonë”. deklaroi Ministrja.
Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Profesor Doktor, Bahri Musabelliu bëri me dije se së shpejti në këtë universitet do të çelet një degë e posaçme për planifikim dhe zhvillim territori, lajm i cili u mirëprit nga Ministrja Gjermeni.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: