KOSOVË- Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni në një intervistë për “Kosovapress” ka deklaruar se sezoni turistik i 2014-ës ka qënë pozitiv për Shqipërinë krahasuar me vitin 2013. Gjermeni ka pohuar se numri i turistëve është rritur me mbi 20 apo 25%, është rritur koha e qëndrimit të tyre në Shqipëri, është rritur edhe niveli i të ardhurave që turizmi jep për ekonominë shqiptare mbi 30%, krahasuar me vitin 2013. Ministrja Gjermeni deklaroi se me miratimin e ligjit të turizmit do të vendoset një standard i ri për turizmin.

“Me miratimin e ligjit të turizmit ligj që thuajse ne e kemi përfunduar do të vendoset një standard i ri në fushën e turizmit në Shqipëri, konkretisht për licencimin e guidave, operatorëve turistikë; kriteret për to, klasifikimin e hoteleve si dhe tërheqjen e investimeve të huaja në fushën e turizmit”, tha Gjermeni.

Ajo theksoi se kanë punuar shumë që të lehtësohen të gjitha procedurat e kalimit dhe pritjes në kufi. Veçanërisht të ardhjes së shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, në mënyrë që të lehtësohet ardhja e tyre e mos të presin me orë të tëra në kufi.
“Kemi punuar fort që të lehtësohen të gjitha procedurat e kalimit dhe pritjes në kufi sidomos të ardhjes së shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Mal i Zi, duke e lehtësuar ardhjen e tyre dhe duke mos lejuar të presin me orë të gjata aty, dhe nga ana tjetër mendoj që edhe përsa i përket mikpritjes këtu, edhe për sa i përket kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre dhe gjeografisë së vizitave në Shqipëri ka qenë më e madhe se vitet e kaluara; nëse pak vite më parë kryesisht vizitohej Durrësi, shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia shkojnë në Shëngjin, Velipojë, Dhërmi, Sarandë, edhe Pogradec pse jo”, ka thënë Gjermeni.

Ministrja më tej është shprehur se promovimi i Shqipërisë është një sfidë e hapur. Sipas saj, shpesh ka pak informacione për Shqipërinë, edhe në ato raste që ekziston, perceptimi nuk është ai i duhuri.

Ajo tha se strategjia e zhvillimit të turizmit 2014-2020 është fokusimi i punës me intensitet për të promovuar Shqipërinë. “Komponent kryesor është patjetër pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare dhe përfaqësimi me dinjitet aty; patjetër marrëdhënia shumë e ngushtë me mediat; bashkëpunojmë me ambasadat tona kudo në botë; bashkëpunojmë me artistë apo me emra të njohur nga Shqipëria, që janë në botë, që jetojnë atje dhe që janë me të vërtetë ambasadorë shumë të mirë për të na promovuar”, u shpreh Ministrja e Turizmit.

Duke u ndalur tek vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, ministrja Gjermeni tha se i ka bërë një promovim të mirë imazhit të Shqipërisë. Sipas saj, vizita nxori në pah vlerat e Shqipërisë.

Përsa i përket mjedisit Gjermeni vlerësoi punën e FA-ve për një Shqipëri të pastër, të Agjencisë Shqiptare të Bregdetit, Agjencisë së Turizmit e institucioneve tjera si shoqëri civile, universitete e njësi vendore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: