TROPOJE- Ministrja Eglantina Gjermeni ishte sot në Bashkinë Tropojë, për të inspektuar projektin e financuar nga MZHU për eficiencën e energjisë elektrike. Ministrja, e shoqëruar nga kryebashkiaku Besnik Dushaj, ka ndjekur nga afër punimet në pallatin ku investimi kap vlerën e 9 mln e 585 mijë lekëve. 13 familje, së shpejti do të kenë kushte më të mira jetese por edhe reduktim në masën 50% të faturës së energjisë elektrike.

Gjatë këtij inspektimi, Gjermeni u shpreh se strehimi mbetet një nga prioritetet kyçe për Ministrinë e Zhvillimit Urban. Këtë vizitë, Ministrja Gjermeni e shfrytëzoi për t’i dhënë një tjetër lajm të mirë qytetarëve të Bajram Currit. Së shpejti, me një projekt që financohet nga FZHR, me vlerë 149 milionë lekë, do të nisë puna për shëtitoren e re të këtij qyteti. Kreu i MZHU-së theksoi se “Rilindja Urbane do t’i ndryshojë pamjen Tropojës dhe do të përmirësojë jetën e qytetarëve. Bashkëpunimi do të jetë njësoj me të gjitha bashkitë e vendit, përtej çdo përkatësie partiake.”.

Në të njëjtin qëndrim do të shprehej edhe kreu i Bashkisë, Dushaj, kur vlerësoi bashkëpunimin me Ministren e Zhvillimit Urban. Edhe për Dushajn, kjo shëtitore pa dyshim që do të ndryshojë pamjen e qytetit. Për vitin 2016 buxheti i FZHR për infrastrukturën vendore është 9 miliardë lekë, 3.7 miliardë prej të cilave do të përdoren për zbatimin e 45 projekteve të miratuara në thirrjen e parë. Në total për thirrjen e parë janë 13 projekte që lidhen me rehabilitimin urban të qendrave.

Në thirrjen e dytë për financimin e projekteve nga FZHR, 53 bashki kanë aplikuar për 147 projekte.
Nga këto janë përzgjedhur 39 projekte fituese, 17 prej të cilave nga bashkitë me mbi 50,000 banorë dhe 22 nga bashkitë me nën 50,000 banorë, me një vlerë totale të financimit prej 6,191,448,793 lekësh.
Për sa i përket bashkive të qarqeve të veriut ka patur 25 aplikime nga 12 bashki, nga të cilat janë përzgjedhur 5 projekte fituese nga 5 bashki (bashkitë Pukë, Vau i Dejës, Rrëshen, Tropojë dhe Mat).
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: