Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas gjetjes së një varreze masive në Bishtazhin, ku janë identifikuar mbetjet mortore të 11 personave që ishin zhdukur gjatë luftës së Kosovës.

“Pas 26 vitesh pritje dhe ankthi të familjeve, 11 të zhdukur gjatë luftës janë gjetur dhe identifikuar në varrezën masive të Bishtazhinit. Pas masakrës së Kralanit, forcat shtetërore serbe i kishin rrëmbyer dhe groposur në këto varreza, me qëllim që t’i fshehin, bashkë me provat e krimeve të bëra,” tha Kurti.

Ai theksoi se më 2 prill 1999, forcat serbe kishin mbledhur me forcë mijëra burra dhe djem shqiptarë në një fushë në Kralan, ku i kishin mbajtur nën tortura për dy ditë pa ujë dhe ushqim. Më 4 prill, 86 burra dhe djem, përfshirë 11 të mitur, ishin ndaluar dhe që nga ajo ditë nuk ishin parë më të gjallë.

Disa nga ta u gjetën më vonë afër liqenit të Peruqacit në Serbi, ndërsa pas zhvarrosjes në Bishtazhin, kufomat u morën përsëri nga autoritetet serbe.

Pas 26 vitesh, janë identifikuar:

Adem Gashi

Sahit Gashi

Bekim Hasani

Sheremet Ismajli

Mentor Myrtaj

Osman Fejza

Shkelzen Hajdaraj

Bekim Gashi

Sabedin Kryeziu

Mentor Kryeziu

Vehbi Halilaj

Kurti e cilësoi këtë si një dëshmi të krimeve çnjerëzore dhe gjenocidit të kryer nga Serbia, duke theksuar se është e vështirë të gjesh fjalë që mund të ngushëllojnë familjarët e viktimave.

Ai e theksoi rëndësinë e kujtesës dhe nevojën për të vazhduar përpjekjet për të siguruar të vërtetën dhe drejtësinë. “Jemi pranë familjeve dhe do t’i mbështesim ato në këtë udhëtim të vështirë të dhembjes dhe kujtesës. Kujtimi për ata që dhanë jetën për lirinë që ne e gëzojmë, do të jetojë përjetësisht. Lavdi!” përfundoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb